Shtatë ditë protesta në Prishtinë, Haziri: S’do të ndalemi deri në plotësimin e kërkesave
Foto: Laura Hasani

Shtatë ditë protesta në Prishtinë, Haziri: S’do të ndalemi deri në plotësimin e kërkesave

Aktuale September 22, 2026 - 11:34

Organizatori i protestave kundër vendimit të Gjykatës Speciale, Çlirim Haziri, ka bërë të ditur se sonte shënohet java e parë e protestave të mbajtura në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka thënë se protestat janë mbajtur për shtatë ditë radhazi, duke theksuar se kërkesa e protestuesve mbetet e njëjtë.

“7 ditë rresht në shesh. 7 net pa u ndalur. Një javë bashkë, me të njëjtin zë dhe të njëjtën kërkesë: DREJTËSI!”, ka shkruar Haziri.

Ai ka thënë se pjesëmarrja në protestë është rritur nga nata e parë dhe ka bërë thirrje që qytetarët të mblidhen sërish sonte në sheshin “Skënderbeu”, në orën 21:00.

“Një javë qëndresë. Një javë bashkë. Për UÇK-në”, ka shkruar ai.

Haziri ka falënderuar pjesëmarrësit për, siç ka thënë, “qëndrueshmërinë, dinjitetin dhe solidaritetin”, ndërsa ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të organizatorëve.

“Nuk do të ndalemi deri në plotësimin e kërkesave tona!”, ka përfunduar ai.