Apeli në Hagë, Supremja në Kosovë - Gruda tregon çka parasheh projektligji i PDK-së
Foto: Laura Hasani

Apeli në Hagë, Supremja në Kosovë - Gruda tregon çka parasheh projektligji i PDK-së

Aktuale September 21, 2026 - 22:17

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka shpjeguar në Klan Kosova se çfarë parasheh projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me Dhomat e Specializuara.

Gruda ka thënë se procesi i apelimit për rastin e ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojë në Hagë, ndërsa në rast të një vendimi dënues pas apelit, çështja do të kalojë në Gjykatën Supreme të Kosovës.

“Apeli aktual ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon në Hagë për një vit e gjysmë, dy, sado që të zgjatë. Pas Apelit, nëse do të ketë vendim dënues, gjyqi në Supreme zhvillohet në Kosovë. Nëse do të ketë rigjykim, prapë ajo kthehet në Kosovë”.

“Shkalla e dytë, Apeli zhvillohet në Speciale. Nëse vendimi del fajësues dhe vazhdon në shkallën në Supreme, nuk vazhdon në Supremen e Hagës, vjen në Supremen e Kosovës në Prishtinë”, deklaroi ai.

Gruda ka thënë se një prej arsyeve pse Apeli është lënë në Hagë lidhet me pritjet e mbrojtjes për procesin e apelimit.

“Avokatët kanë shpresë që në apel mund të fitojnë. Ata kanë qasje në aktgjykim tashmë, ne publiku s’kemi qasje, kanë qasje dhe me gjasë ata kanë parë shkelje që janë tepër skandaloze të cilat besojnë që në apel mund t’i rrëzojnë”, ka thënë Gruda.

Një tjetër element, sipas tij, është monitorimi ndërkombëtar dhe monitorimi përmes Kuvendit ndaj punës së Gjykatës Speciale.

“Me këtë ligj, në momentin që jemi në fuqi, në momentin që jemi në fuqi menjëherë e prodhon pasoja juridike, Kuvendi i Kosovës mund të angazhojë kompani ndërkombëtare, universitete të njohura, institute që ta mbikëqyrin punën e Gjykatës Speciale tash në shkollanë e dytë”.

“Nëse në shkallën e dytë ne do të kemi të miratuar ligjin, ne do të kemi të monitoruar gjithë kohën punën e Apelit me institute, me universitete, me organizata, me trupa që i themelon Kuvendi, çdo gjë do të jetë transparente. E kemi bërë këtë për dy arsye. E para, sepse transparenca do të garantojë edhe drejtësi”, ka deklaruar Gruda.