Rama në protestën e studentëve: Duhet unitet kombëtar, duhet të jemi bashkë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është bashkuar protestës së studentëve në Prishtinë, të organizuar në kundërshtim me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Rama ka thënë se krerët e UÇK-së janë akuzuar në mënyrë disproporcionale, ndërsa është anashkaluar konteksti i luftës në Kosovë.
“Akuzohen në mënyrë disproporcionale krerët e UÇK-së për krime, duke e anashkaluar faktin që UÇK-ja është përgjigje e gjithë popullit tonë ndaj spastrimit etnik, ndaj aspektit të shtypjes e përdhunimit që ka ndodhur gjatë luftës. Pra, nuk mundet një vlerë kombëtare me u kriminalizu nga asnjë proces”, ka deklaruar Rama.
Ai ka thënë se sheshet e kryeqytetit janë të hapura për protesta që, siç u shpreh, mbrojnë vlerat kombëtare.
“Sheshet e kryeqytetit janë gjithmonë të hapura dhe në përkrahje të çfarëdo proteste që i mbron këto vlera kombëtare. I bëj thirrje të gjitha institucioneve dhe partive që kjo të jetë përtej partive. Duhet unitet kombëtar, duhet të jemi një, duhet të jemi bashkë”, ka thënë Rama.