Haxhiu: Pas 27 vitesh, tri familje mësuan fatin e familjarëve të zhdukur nga lufta
U.D. e Presidentes së Kosovës dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas identifikimit të tri viktimave të luftës, mbetjet mortore të të cilave u zhvarrosën në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin-Potokut.
Haxhiu ka bërë të ditur se analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, të cilët ishin pjesë e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999.
“Tri familje morën sot lajmin për familjarët e zhdukur me dhunë që prej vitit 1999”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se për 27 vjet familjet kanë jetuar pa e ditur fatin e të afërmve të tyre, ndërsa tashmë identifikimi u ka dhënë përgjigjen që e kanë pritur për dekada.
“Dhimbja mbetet, por kjo pritje e gjatë mbaroi”, ka deklaruar Haxhiu, duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe me familjet e tjera që vazhdojnë të presin rezultatet e gërmimeve.
Haxhiu ka thënë se procesi i kërkimit do të vazhdojë deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur me dhunë dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.