Rrahmani për Kurtin: Padrejtësia e Hagës duhet të jetë prioriteti i vetëm i vizitës së tij në SHBA

Rrahmani për Kurtin: Padrejtësia e Hagës duhet të jetë prioriteti i vetëm i vizitës së tij në SHBA

Aktuale September 18, 2026 - 19:43

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një ndër goditjet më të mëdha që ka pranuar Kosova që nga paslufta.

Rrahmani u shpreh se vendimi është i padrejtë dhe se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa për ta kthy në drejtësi këtë padrejtësi.

“Është një vendim ndër goditjet më të mëdha që ka pranu Kosova që nga paslufta dhe është një vendim i padrejtë për të cilin ne si deputetë jemi përgjegjës që ta kthejmë drejtësinë në vend dhe të ndërmarrim të gjitha hapat e duhur pa u vonu – besoj që jemi duke u vonu tash e dy ditë do të duhej qysh të nesërmen (te enjten) të mblidheshim edhe të reagojmë për shkak se kemi obligim ndaj qytetarëve, dëshmorëve dhe ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar për këtë vend që të mos lejojmë të bëhen padrejtësi aq ma pak ndaj atyre që kanë dhënë gjithçka që ne të jetojmë të lirë. Nuk kemi as çfarë të diskutojmë për vendimet pasi më së paku ka drejtësi aty”, u shpreh Rrahmani.

Ai ka thënë se përgjegjësia për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm u takon institucioneve të vendit, përfshirë Kuvendin, Presidencën dhe Qeverinë.

“Ky vendimi ka më së paktu me individët atje është obligim për secilin qytetarë që jeton që me kthy në drejtësi këtë padrejtësi që i është bërë luftës tonë të lavdishme. Ka një dakordim të përgjithshëm që është vendim i padrejtë – mbetet që institucionet e republikës si Kuvendi, Presidenca e Qeveria ti ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm është obligim përtej dëshirë e vullnet”, u shpreh Rrahmani.

Rrahmani ka kritikuar edhe kryeministrin Albin Kurti lidhur me vizitën e tij të paralajmëruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se çështja e vendimit të Hagës duhet të jetë pjesë e takimeve të tij.

“E kemi kryeministrin që ka njoftu se do të udhëtoj në Amerikë dhe në asnjë rresht nuk thotë se do të angazhohet për me i njoftu për padrejtësinë që u është bërë katër krerëve të UÇK-së – temë kryesore në secilin takim që nga 16 shtatori duhet të jetë padrejtësia që i është bërë popullit shqiptar dhe ky duhet të jetë prioriteti i parë dhe i vetëm”, u shpreh Rrahmani.