Mijëra qytetarë në sheshin “Skënderbeu”, Policia me njoftim për protestën
Foto: Laura Hasani

Mijëra qytetarë në sheshin “Skënderbeu”, Policia me njoftim për protestën

Aktuale September 18, 2026 - 14:08

Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila u mbajt sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ka përfunduar pa incidente.

Sipas njoftimit të Policisë, protesta ka nisur në orën 12:00, ndërsa autoritetet kishin ndërmarrë masat e nevojshme për ofrimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit e qetësisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit.

“Policia e Kosovës, duke e njohur të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e protestave të qeta, sipas detyrës zyrtare është angazhuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët dhe vetë protestuesit, në mënyrë që mbarëvajtja e protestës të kalojë e qetë dhe pa incidente”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se mijëra protestues morën pjesë në tubim, ku u mbajtën disa fjalime dhe u shprehën pakënaqësitë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

"Mijëra protestues pas tubimit dhe pas mbajtjes së disa fjalimeve, përmes të cilave janë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, në orën 12:40 protesta ka përfunduar e qetë dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë, përderisa njësitë policore kanë vazhduar me detyra sipas planifikimeve operacionale.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar në vazhdimësi. Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktiviteteve vazhdojnë të mbesin prioritet i Policisë së Kosovës".