Haxhiu bën thirrje për maturi: Mbrojtja e UÇK-së nuk arrihet duke shënjestruar kundërshtarët
Foto: Laura Hasani

Haxhiu bën thirrje për maturi: Mbrojtja e UÇK-së nuk arrihet duke shënjestruar kundërshtarët

Aktuale September 17, 2026 - 22:00

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se mbrojtja e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është detyrë qytetare dhe institucionale.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haxhiu ka deklaruar se mbrojtja e tyre nuk bëhet duke i shpallur “spiunë” dhe “tradhtarë” kundërshtarët politikë, duke shënjestruar dëshmitarë apo duke kërkuar fajtorë në mesin e qytetarëve të Kosovës.

Sipas saj, etiketimet e tilla në protesta, emisione televizive dhe postime publike “riprodhojnë pikërisht logjikën e akuzës së ngritur ndaj drejtuesve të UÇK-së”.

“Populli nuk dëshmon. Dëshmojnë individë, secili me emër dhe me përgjegjësi vetjake”, ka shkruar Haxhiu, duke e cilësuar si “të pavërtetë, fyese dhe të rrezikshme” përpjekjen për ta paraqitur një popull të tërë si burim të “spiunimit”.

Haxhiu ka bërë thirrje që kushdo që ka të dhëna për persona që kanë dëmtuar apo dëmtojnë interesin kombëtar dhe shtetëror, t’i paraqesë ato në organet e sigurisë dhe drejtësisë.

“Asnjë padrejtësi nuk ndreqet duke prodhuar një padrejtësi tjetër”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se vlerat e luftës së UÇK-së nuk mbrohen me shpifje dhe kërcënime, por me “të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin”.

Haxhiu u ka bërë thirrje qytetarëve që, gjatë veprimtarisë publike, të tregojnë maturi dhe të promovojnë, siç ka thënë ajo, vlerat dhe virtytet që e karakterizojnë shoqërinë dhe kombin. /Zëri