Pacolli i bën apel Qeverisë së Shqipërisë për Aeroportin e Vlorës: Të zgjedhë dialogun
Biznesmeni dhe investitori Behgjet Pacolli i ka bërë apel Qeverisë së Shqipërisë të rishqyrtojë qëndrimin lidhur me ndërprerjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin e Vlorës dhe të rikthehet te dialogu institucional.
Në një deklaratë publike, Pacolli thotë se MABCO, investitori dhe financuesi i projektit, si dhe zotëruesi i 98 për qind të kuotave të VIA-s, iu drejtua arbitrazhit ndërkombëtar pas vendimit të Qeverisë për ndërprerjen e kontratës.
Sipas tij, më 16 shtator 2026, arbitra e emergjencës e ICC-së, në kuadër të procedurës me seli në Londër, ka nxjerrë një urdhër paraprak ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Arbitra e emergjencës e ICC-së, në kuadër të procedurës me seli në Londër, nxori një urdhër paraprak që i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të përmbahet, gjatë procedurës së emergjencës, nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë këtë procedurë. Ky urdhër duhet respektuar”, deklaron Pacolli.
Ai thekson se MABCO nuk kishte synuar që çështja të zgjidhej përmes arbitrazhit, duke pretenduar se kishte kërkuar vazhdimisht dialog me institucionet shqiptare.
“MABCO nuk ka synuar zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes arbitrazhit. Përmes më shumë shkresave, tentativave për takim, thirrjeve për veprime konstruktive dhe shmangien e pengesave, kemi kërkuar vazhdimisht zhvillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje civilizuese që do të mundësonte vazhdimin e punimeve dhe përfundimin e aeroportit”, ka thënë ai.
Pacolli përsëriti se propozimi i investitorit mbetet përfundimi i projektit dhe vënia e Aeroportit të Vlorës në funksion.
“Propozimi ynë mbetet i qartë: të na mundësohet përfundimi i aeroportit dhe vënia e tij në funksion”, u shpreh Pacolli.
Ai kërkoi gjithashtu që, sipas tij, në VIA të rikthehet legjitimiteti dhe të respektohen puna dhe investimi i bërë, në mënyrë që procesi i përfundimit të aeroportit të vijojë.
Në fund, Pacolli i bëri sërish thirrje Qeverisë shqiptare të zgjedhë dialogun dhe një zgjidhje të dakordësuar.
“Përfundimi i kësaj vepre dhe vënia e saj në shërbim të qytetarëve, turizmit dhe ekonomisë shqiptare do të ishte në interes të publikut dhe do të shmangte shpenzime të konsiderueshme për procedura ligjore”, përfundoi ai. /Zëri