Specialja tha se “të ndaluarit s’kishin WC të përshtatshme”, Demaku: Më ‘98 s’kam pasë bukë me hangër në mal

Specialja tha se “të ndaluarit s’kishin WC të përshtatshme”, Demaku: Më ‘98 s’kam pasë bukë me hangër në mal

Aktuale September 16, 2026 - 17:54

Ebija e dëshmorit Vesel Demaku, Dafina, e cila është edhe gazetare, ka bërë disa reagime të ashpra pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale, që dënoi ish-krerët e UÇK-së me 81 vjet burg në total.

Në arsyetimin e trupit gjykues, u përmenden akuzat që kjo gjykatë tha se i konstatoi pas pretendimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ndër të tjera, gjykata konstatoi se në disa qendra ndalimi, sipas tyre, të ndaluarve nuk iu ofrua kujdes shëndetësor. Bile e përmendin se gjoja "të ndaluarve nuk u lejohej të laheshin; shumica e tyre nuk kishin WC të përshtatshme."

Dafina ka ironizuar me pjesën se “s’kishin WC të përshtatshme”, duke paralelizuar situatën e familjes së saj, në atë kohë lufte.

Në postimin e saj, ajo ka shkruar se në vitin ’98 nuk kanë pasur bukë për të ngrënë e lëre më shumë.

“S’kishin WC te pershtatshme? Po a?

Une ne shtator 1998, s’kam pase buke me hanger ne mal, derisa ma ka sjell ni cope buke kusherini tashme i ndjere, Hamdi Demaku. Qat copen e fundit qe e ka pase per femijet e vet, pak ma ka sjell mu si femije 8 vjeç.”