Vendimi për ish-krerët e UÇK-së, Musliu-Shoshi: S’e përjashtojmë iniciativën për zhbërjen e Speciales
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, pas vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së, ka thënë se kjo është një ditë e zymtë dhe e rëndë për Kosovën dhe për sakrificën e popullit shqiptar për liri e pavarësi.
Në një prononcim për “Zërin”, Musliu-Shoshi, ka thënë se kryesia e PDK-së dhe grupi parlamentar do të mblidhen nesër dhe kësisoj edhe do të diskutojnë rreth iniciativës për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

“Si zë i popullit që jemi brenda Kuvendit të Kosovës, ne do i ndërmarrim të gjitha masat që të zhbëjmë këtë gjykatë dhe të jemi në krah historisë, në krah të çlirimtarëve tanë, për të mirën tonë, për të ardhmen e vendit tonë. Për ekzistimin e këtij shteti. Nesër ne e kemi mbledhjen e Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar bashkë në orën 11:00 dhe aty do t’i diskutojmë të gjitha iniciativat, mirëpo nuk e përjashtoj si mundësi”, deklaroi Musliu-Shoshi. /Zëri