Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Gashi: Pavarësisht vendimit, katërshja e UÇK-së mbeten çlirimtarë të Kosovës
Aktuale
September 16, 2026 - 17:21
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, tha se katërshja e UÇK-së, pavarësisht vendimit dënues, “mbeten çlirimtarë të Kosovës”.
“Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë, ndërsa beteja për drejtësi vazhdon”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Gashi bëri thirrje për qetësi, teksa theksoi se Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi “i përkasin një kapitulli të lavdishëm të historisë së Kosovës”, duke shtuar se asnjë vendim gjykate nuk mund ta mohojë këtë.
“Për popullin shqiptar, ata janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës. Lufta e UÇK-së, sakrifica dhe vetëmohimi i atyre që e udhëhoqën dhe ishin pjesë e saj janë vetë rruga që çoi në lirinë e Kosovës dhe në një epokë të re paqeje e stabiliteti në rajon”, shkroi ai.