LIVE | Kuvendi shkon në pauzë, mospajtime për formën e votimit për nënkryetarët
Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar në takim shefat e grupeve parlamentare.
Haxhiu e ka ndërprerë aktualisht votimin për nënkryetarët e Kuvendit, pas një konsultimi të shkurtër që kishte me përfaqësuesit e partive politike në lidhje me formën e votimit për nënkryetarët e Kuvendit, transmeton Zeri.info.
Ajo tha se ka propozim që nënkryetarët të votohen në pako, por për këtë ka mospajtime.
“Ka propozime të shkojnë në paket të gjithë dhe në anën tjetër ka rezerva për këtë formë të votimit, prandaj i ftoj grupet parlamentare në zyrën time”, tha Haxhiu.
Emrat e propozuar:
Nënkryetar nga LVV-ja: Ardian Gola
Nënkryetar nga PDK-ja: Vlora Çitaku
Nënkryetar nga LDK-ja: Kujtim Shala
Nënkryetar nga komuniteti serb: Slavko Simiq
Nëkryetar nga komuniteti joshumicë: Emilia Rexhepi. /Zëri
Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu ka marrë 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenuan, raporton Zeri.info.
Haxhiu cila ushtron edhe postin e presidentit nga 5 prilli, do të vazhdojë edhe më tutje këtë detyrë deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Haxhiu ishte edhe kryetare e legjislaturës së dhjetë e cila u shpërnda më 1 korrik 2026.

Nis seanca e Kuvendit

Ka nisur seanca e Kuvendit, e drejtuar nga deputeti i LVV-së, Avni Dehari.
Në seancën e sotme deputetët pritet të konstituojnë Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët, transmeton Zeri.info.
Në seancë janë të pranishëm janë 103 deputetë.
Kuvendi pret konstituimin sot

Seanca konstituive e Kuvendit nuk vazhdoi për një muaj të plotë prej ndërprerjes së fundit më 8 gusht.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kishte pranuar kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që t’u jepet kohë shtesë për të arritur një marrëveshje politike për presidentin para se të vazhdohet me konstituim të Kuvendit.
Kurti atëherë kishte deklaruar se “konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme e të panevojshme”.
Andaj, nuk kishte propozuar një kandidat për kryeparlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje [LVV].
Rregullorja e Kuvendit parasheh që “ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”.
Dy partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës [PDK] dhe Aleanca kanë bërë thirrje vazhdimisht gjatë muajit gusht që seanca konstituive të vazhdohej duke shkuar çdo 48 orë në sallën e Kuvendit.
Marrëveshja politike për presidentin, e cila ishte parakusht për Kurtin që të vazhdohej me seancën konstituive, u arrit më 31 gusht midis LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Megjithëse votat për Bekim Sejdiun, kandidatin për të cilin u pajtuan të dy partitë, nuk janë tashmë të sigurta, mbetet e paqartë nëse veç dakordimi për emrin e tij do të mjaftojë që deputetët ta mbyllin të mërkurën konstituimin apo do të kërkohet sërish kohë shtesë.