KFOR-i zhvillon stërvitje me helikopterë në kampin “Sparta” në Deçan
Ushtarët bullgarë, pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, kanë zhvilluar trajnime me helikopterë në Kampin “Sparta” në Deçan.
Sipas njoftimit të KFOR-it në Facebook, trajnimi kishte për qëllim rritjen e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e koordinimit ndërmjet ekuipazheve ajrore dhe personelit në terren.
Gjatë stërvitjes u realizuan skenarë për transportin e personelit, evakuimin e trupave dhe situata emergjente."Përmes aktiviteteve të përqendruara te transporti i personelit, evakuimi i trupave dhe skenarët e emergjencës, personeli i KFOR-it forcoi gatishmërinë dhe ndërgjegjësimin situacional, duke pasqyruar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë", thuhet në njoftim.