Protesta kundër investimit në Zvërnec në ditën e 97-të
Protestuesit u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në tubimin e 97-të kundër investimit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë, duke kundërshtuar projektin dhe duke parashtruar edhe kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Në një prej pankartave shoqëruese të protestës së sotme shkruhej: “Kush arreston rininë dhe popullin e vet, tregon se ka frikë dhe fundin e pushtetit pret”.
Aktivisti Mirjan Aliaj bëri thirrje nga podiumi përpara Kryeministrisë që të hënën, kur bëhen 100 ditë nga revolta, shqiptarët të dalin masivisht në shesh, për të treguar se nuk nënshtrohen.
“Sot dita e 97-të e protestës, të hënë bëjmë 100 ditë. I bëjmë thirrje çdo shqiptari, nga çdo qytet i Republikës, i trevave, e nga çdo qytet diasporës të bashkohemi në këtë bulevard për t’i treguar Ramës se nuk nënshtrohemi dhe do ta rrethojmë Kryeministrinë për të mos i lënë asnjë rrugëdalje”, tha ai.
Aktivistja Arvina Lleshi u ndal te arrestimi i disa protestueve në protestën e mëparshme, mes të cilëve ishte edhe ajo vetë.
“Nëse mendoni se mund të na intimidoni, me forma të tilla presioni, po ua them publikisht që nuk ia dilni dot. Unë do dal çdo ditë në protestë, për sa kohë ajo është paqësore”, tha ajo.
E nisur si reagim ndaj ndikimit mjedisor të projektit turistik në Zvërnec, tashmë pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale dhe shprehin shqetësimet e tyre për korrupsionin, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi./atsh