Zhvillimet në LDK, Kurti: Kjo është rrethanë e re, duhet të takohem sërish me Abdixhikun
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është deklaruar për media, pasi ka zhvilluar takim me grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ku është diskutuar lidhur me emrin e Bekim Sejdiut për president të vendit.
Kurti ka komentuar më pas zhvillimet e fundit në LDK, pasi që gjashtë deputetë të saj, kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut.
Kurti e ka quajtur rrethanë të re këtë zhvillim, duke thënë se i duhet sërish një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikut.
“Natyrisht, kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të orëve të fundit, ku në njërën anë ishte shpresëdhënëse qëndrimi i kryesisë së LDK-së, mirëpo më pas, patëm edhe këtë njoftimin negativ që 6 deputetë të LDK-së nuk e mbështesin Sejdiun për president. Kjo është një situatë e re, e cila kërkon që unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së dhe që të rikthehem në kryesinë e VV-së për ta diskutuar rrugën e rë që duhet ta ndjekim përpara.”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se të gjithë deputetët e VV-së i kanë dhënë mbështetje Sejdiut për president të vendit.
Derisa, qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së e ka cilësuar si të papërgjegjshëm dhe të paarsyeshëm, duke thënë se shkuarja e sërishme në zgjedhje do të ishte e dëmshme dhe e panevojshme për vendin.