Rukiqi: Alternativa nuk është pa pasoja, pengimi i zgjedhjes së Presidentit i shërben pushtetit
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar lidhur me krizën institucionale në vend dhe situatën politike rreth zgjedhjes së Presidentit, duke thënë se çdo alternativë politike ka kosto reale, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik.
Përmes një postimi, Rukiqi ka deklaruar se Kosova vazhdon të mbetet e ngërthyer në një krizë institucionale, e cila, sipas tij, po e paralizon funksionimin e shtetit dhe po shkakton pasoja të vazhdueshme për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Ai ka argumentuar se zgjedhja e Presidentit do të sillte disa efekte të rëndësishme në jetën politike dhe ekonomike të vendit.
Sipas Rukiqit, me zgjedhjen e Presidentit, beteja politike do të rikthehej në atë që ai e quan “terrenin e saj natyror”. Ai vlerëson se konflikti politik do të zhvendosej nga beteja për vetë pozitën e Presidentit në raportin normal ndërmjet pushtetit dhe opozitës.
Postimi i plotë:
Cila është alternativa e moszgjedhjes së Presidentit?
Alternativa nuk është pa pasoja dhe ka ka kosto reale, të vazhdueshme, si politike ashtu edhe ekonomike.
Vendi mbetet i ngërthyer në një krizë institucionale që po e paralizon funksionimin e shtetit
Nëse zgjidhet Presidenti, kjo sjell disa efekte kryesore në jetën politike dhe ekonomike
1. Beteja kthehet në terrenin e saj natyror. Nga një terren i jonatyrshëm politik, pra beteja për vetë pozitën e Presidentit, konflikti zhvendoset në terrenin normal të pushtet–opozitë.
Kjo e ekspozon hapur keqqeverisjen, paaftësinë qeverisëse dhe betejën reale të numrave në Parlament, duke eliminuar mundësinë për të provokuar zgjedhje të parakohshme si shkak i pretenduar i “pamundësisë për të zgjedhur President”, kur në fakt shkaku i vërtetë është mungesa e fuqisë politike dhe paaftësia për të udhëhequr vendin.
2. Zhbllokohet vendi nga ngërçi gati dyvjeçar, me pasoja të rënda deri tani për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.
3. Rikthehet, sado pak, besimi i qytetarëve të pamilitantizuar te proceset demokratike, një segment elektoral thelbësor për shëndetin afatgjatë të demokracisë.
4. I pamundësohet pushtetit të ikë nga përgjegjësia pas krizës së moszgjedhjes së Presidentit. E njëjta krizë, nëse vazhdon, i mundëson pushtetit të përdorë cikle të vazhdueshme zgjedhore si pretekst për të mos qeverisur dhe për të mos marrë vendime.
Beteja kundër këtij pushteti nuk fitohet duke penguar zgjedhjen e Presidentit, përkundrazi, pengimi i saj i shërben vetë pushtetit, në zgjatjen e një cikli politik të dëmshem për vendin.