Zjarret në Shqipëri, angazhohen mbi 220 forca, situata më problematike në Dibër

Zjarret në Shqipëri, angazhohen mbi 220 forca, situata më problematike në Dibër

Aktuale August 30, 2026 - 15:48

Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të mbetet në monitorim, ndërsa 6 vatra janë ende aktive në qarqet Tiranë, Dibër dhe Lezhë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në terren janë angazhuar 173 forca operacionale, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 16 automjete zjarrfikëse dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Ministria bën me dije se, aktualisht, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

“Sipas informacionit operacional të përditësuar më 30.08.2026, ora 14:00, në territorin e vendit janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive dhe 3 janë nën mbikëqyrje.

Vatrat aktive evidentohen në Dajt–Tiranë; Vajkal, Sllatinë, Lundre dhe Ballenjë–qarku Dibër; si dhe Rrilë–qarku Lezhë. Në të gjitha rastet raportohet se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Situata me angazhimin më të konsiderueshëm paraqitet në Sllatinë, ku operojnë 91 forca, dhe në Vajkal, ku janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të FA-së.

Në Lundre, Mat, për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit në masivin pyjor të favorizuar nga era, është angazhuar edhe 1 helikopter i Forcës Ajrore.

Në Ballenjë, Martanesh, zjarri është në një zonë të mbrojtur dhe ndërhyrja vështirësohet nga terreni.

Në total, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 173 forca operacionale, 16 automjete zjarrfikëse, 50 forca ushtarake dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore.

Vatrat në Qafë të Helmës, malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”, shkruan Ministria e Mbrojtjes. /tch