Munguan tre kryetarë të LVV-së, Rama paralajmëron takimin e radhës me krerët e komunave për çështjen e bërllokut
Gjatë ditës së enjte kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mbajti takim me kryetarët e komunave që menaxhohen nga ndërmarrja “Pastrimi” për pastrimin e mbeturinave.
Derisa në takim ishin të pranishëm vetëm kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci dhe ai i Lipjanit Imri Ahmeti, tre kryetarët e komunave, të Podujevës, Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, nuk u paraqitën në bisedimet për menaxhimin e mbeturinave.

Lidhur me këtë Rama tha se Shpejtim Bulliqi, kreu i Podujevës, e kishte njoftuar paraprakisht se nuk mund të merrte pjesë në këtë takim, pasi nuk ndodhej në Kosovë.
I pari i kryeqytetit po ashtu bëri të ditur se një takim tjetër lidhur me sfidat me bërllokun në këto komuna do të mbahet në të ardhmen.

“E diskutuam në detaje çështjen problematike që e kemi jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha komunat. I kemi ftuar të gjithë kryetarët, atë të Podujevës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës. I Podujevës nuk ka qenë për fat të keq këtu në vend, dhe ka kërkuar falje, dhe do të organizojmë takimin e radhës ku do të shpresojmë se do t’i kemi të gjithë kryetarët e komunave, të diskutojmë dhe të merremi vesh për çështjen e pastrimit, në mënyrë që ta zgjedhim këtë problem një herë e përgjithmonë”, u shpreh Rama.


