Inspektorati aksion ndaj udhërrëfyesve turistikë pa licencë, gjobat deri në 9 mijë euro
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka nisur inspektime ndaj udhërrëfyesve turistikë, që ushtrojnë veprimtarinë pa licencë në Kosovë.
Sipas IQMT-së, kontrollet po zhvillohen në regjionet e Prizrenit, Prishtinës dhe Obiliqit, me qëllim të parandalimit dhe evidentimit të rasteve të ushtrimit të paligjshëm të kësaj veprimtarie.
Gjatë inspektimeve është evidentuar edhe angazhimi i udhërrëfyesve jovendas nga kompani turistike të vendeve të rajonit, të cilët, në rastet kur veprojnë pa licencën përkatëse, janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
IQMT-ja ka paralajmëruar masa ndaj operatorëve turistikë, personave juridikë, bizneseve individuale dhe personave fizikë që ushtrojnë ose mundësojnë ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik pa licencë.
Ushtrimi i kësaj veprimtarie në kundërshtim me ligjin përbën kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 3.000 deri në 9.000 euro.
Institucioni ka theksuar se angazhimi i personave të palicencuar mund të ndikojë edhe në mënyrën e prezantimit të historisë, trashëgimisë kulturore dhe vlerave të lokacioneve turistike në Kosovë.
IQMT-ja u ka bërë thirrje operatorëve turistikë që udhërrëfyesit t’i angazhojnë në mënyrë të ligjshme dhe sipas kritereve të përcaktuara.
“Kosova ka udhërrëfyes turistikë vendorë të licencuar dhe profesionalë”, thuhet në njoftim, ndërsa kompanitë turistike janë inkurajuar t’i angazhojnë ata për të garantuar informim të saktë të vizitorëve dhe promovim të denjë të trashëgimisë dhe vlerave turistike të vendit. /Zëri