Ramadani: Moskonstituimi i Kuvendit thelbi i krizës, LVV-ja në “panik ligjor”
Foto: Laura Hasani

Ramadani: Moskonstituimi i Kuvendit thelbi i krizës, LVV-ja në “panik ligjor”

Aktuale August 26, 2026 - 12:31

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për situatën aktuale politike në vend, duke thënë se moskonstituimi i Kuvendit mbetet problemi kryesor institucional në Kosovë.

Në një konferencë për media, Ramadani ka deklaruar se vendi po përballet me ditën e 18-të të, siç e quajti ai, bllokadës së re institucionale, ndërsa akuzoi Vetëvendosjen se po e orienton vendin drejt zgjedhjeve.

“Sot është dita e 18 e bllokadës së re, pas qindra ditëve të bllokadave të kaluara që ka bërë LVV-ja dhe është duke vazhduar ta bëjë. Thelbi i krejt situatës në të cilën është Kosova, është moskonstituimi i Kuvendit”, ka thënë Ramadani.

Ai e ka cilësuar gjendjen e Vetëvendosjes si “panik ligjor”, duke pretenduar se veprimet e saj politike po shërbejnë si përpjekje për të shmangur zgjidhjen e krizës institucionale.

Sipas Ramadanit, zhvillimet e tjera politike dhe diskutimet për zgjedhjet po përdoren si “alibi” për të mos u gjetur një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit të vendit, deputeti i Aleancës ka thënë se partia e tij nuk është e interesuar për marrëveshje politike mes partive, por për zbatimin e gjashtë kërkesave të saj.

“Për zgjedhjen e presidentit duhet marrëveshje politike, por për marrëveshje politike partiake ne nuk jemi të interesuar. Jemi të interesuar për gjashtë kërkesat tona që janë jetike për Kosovën”, është shprehur Ramadani.