Zgjatet afati për aplikim në Provimin e Maturës Shtetërore
Foto: Zëri

Zgjatet afati për aplikim në Provimin e Maturës Shtetërore

Aktuale August 20, 2026 - 13:42

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se është zgjatur afati për aplikimin në Provimin e Maturës Shtetërore, me qëllim që të gjithë nxënësit që kanë të drejtë t’i nënshtrohen provimit, të kenë mundësi të aplikojnë.

Afati i aplikimit do të jetë i hapur deri të hënën, më 24 gusht 2026, në orën 11:00, ndërsa aprovimi i aplikimeve do të bëhet po atë ditë, deri në orën 12:00.

Sipas Ministrisë, deri tani kanë aplikuar 4.650 nxënës, ndërsa bazuar në rezultatet e afatit të qershorit, vlerësohet se rreth 1.000 nxënës që kanë të drejtë t’i nënshtrohen provimit ende nuk kanë aplikuar.

Ministria ka thënë se zgjatja e afatit është bërë për të mundësuar përfshirjen e të gjithë kandidatëve potencialë në procesin e aplikimit.