Nga java tjetër, zyra për shtetësinë zhvendoset në objektin e Agjencisë për Regjistrim Civil
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes njoftimit, ka bërë të ditur për të gjithë qytetarët e Kosovës se, nga e hëna, 17 gusht 2026, do të ndryshojë lokacioni i zyrës për pranimin e vendimeve për fitimin, rifitimin dhe humbjen e shtetësisë me lirim.
Zyra e re do të vendoset në objektin e Agjencisë për Regjistrim Civil, në katin e parë, në rrugën “Luan Haradinaj”.
Sipas njoftimit thuhet se ndërrimi i lokacionit është bërë me qëllim të ndarjes së kësaj zyre nga objekti i Divizionit për të Huaj, si dhe krijimit të hapësirave më të përshtatshme për qytetarët që drejtohen për të marrë shërbime, raporton Zeri.info.
“Me qëllim të ofrimit të shërbimeve më efikase, MPB-ja ka shtuar stafin mbështetës, në mënyrë që të përmirësohet ofrimi i shërbimeve dhe të zvogëlohen radhët e pritjes. Njëkohësisht, Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën për të aplikuar online përmes platformës E-Kosova. Lokacioni i zyrës:https://maps.app.goo.gl/9cpMYrsupZZmrfjv9?g_st=am Divizioni për Komunikim Publik dhe Protokoll Ministria e Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftim. /Zëri