Qytetarët alarmojnë për mbeturinat, kërkojnë masa urgjente nga institucionet
Foto: Laura Hasani

Qytetarët alarmojnë për mbeturinat, kërkojnë masa urgjente nga institucionet

Aktuale August 10, 2026 - 21:06

Grumbullimi i mbeturinave po vazhdon të jetë problem në Fushë Kosovë, ku qytetarët shprehen të shqetësuar për gjendjen e krijuar. Ata thonë se temperaturat e larta mund ta rëndojnë situatën dhe të ndikojnë edhe në shëndetin e banorëve. Komuna pranon se kapacitetet aktuale nuk mjaftojnë për sasinë e mbeturinave, ndërsa paralajmëron blerjen e kamionëve të rinj.

Situata me mbeturina vazhdon te mbetet jo e mirë në Fushë Kosovë, thonë qytetarët. Ata thonë se nga kundërmimi si shkak edhe i temperaturave të nxehta mund të ndikojë edhe në shëndetin e tyre. Qytetarët bëjnë apel që të ndërmerren masa që kjo gjendje të ndryshojë.

“Ky Berllog nuk bon kështu me kanë. Janë edhe njerëzit e rrezikun, se edhe qentë po rrinë këtu”, tha një qytetar.

Shqetësime për gjendjen me mbeturinat kanë shprehur edhe partitë në opozitë, duke kërkuar masa konkrete për zgjidhjen e problemit.

Nga kompania Pastrimi, përmes një përgjigjeje me shkrim, thanë se grumbullimi dhe largimi i mbeturinave në territorin e Komunës së Fushë Kosovës realizohet nga operatorë të ndryshëm, varësisht nga zona.

Sipas tyre, KRM “Pastrimi” ofron shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në zonat rurale, përkatësisht në fshatrat e Komunës së Fushë Kosovës.

Ndërkaq në zonën urbane, brenda qytetit të Fushë Kosovës, shërbimi i grumbullimit dhe largimit të mbeturinave kryhet nga kompania private e kontraktuar nga Komuna e Fushë Kosovës. Megjithatë,nga kjo kompani bëjnë të ditur se nëse shfaqet nevoja, largojnë mbeturina edhe në zona urbane.

Ndërkohë, Komuna e Fushë Kosovës thotë se kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme për sasinë e mbeturinave që krijohet, duke theksuar se ka kontraktuar katër kamionë, por të pamjaftueshëm për t`i përballuar nevojat.

“Katër kamionë nuk po janë të mjaftueshëm për sasinë e mbeturinave që është në Fushë Kosovë, mirëpo nëse KRM Pastrimi na asiston me punëtorë fizikë, numrin e kamionëve, kompania private është në gjendje me rritë sa ne i kërkojmë” , tha Mjeku, drejtor i Shërbimeve Publike

Komuna ka bërë të ditur se pritet edhe blerja e kamionëve të rinj, të cilët sipas tyre, pritet të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes./rtk