Lista Serbe s’do policë të Kosovës në urën e Mitrovicës, kërkon takim urgjent me KFOR-in
Lista Serbe ka kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, pas ndryshimeve të konfirmuara sot në praninë e sigurisë në urën kryesore mbi Ibër në Mitrovicë.
Kjo parti ka kundërshtuar atë që e cilëson si “tërheqje ose çdo reduktim” të pranisë së KFOR-it në urë, duke kërkuar pezullimin e këtij aktiviteti, transmeton Zeri.info.
Reagimi vjen pasi pjesëtarët e karabinierëve italianë kanë larguar tendën dhe pikën statike të sigurisë nga pjesa veriore e urës, ndërsa prania e tyre ka vazhduar në anën jugore.
KFOR-i më herët ka konfirmuar për “Zërin” se ka nisur tërheqja graduale nga ura për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë.
Lista Serbe ka thënë se, “në emër të popullit serb”, kundërshton fuqimisht çdo reduktim të pranisë së KFOR-it në urën që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.
Sipas kësaj partie, kërkesa për takim me komandantin e KFOR-it vjen për shkak të “situatës jashtëzakonisht komplekse politike dhe të sigurisë”, por edhe për shkak të historikut të tensioneve dhe konflikteve në zonën e urës.
“Duam të përcjellim shqetësimin serioz të popullit serb në veri të Kosovës dhe Metohisë dhe kërkesën për pezullimin e këtij aktiviteti”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Lista Serbe ka shprehur kundërshtim të veçantë ndaj mundësisë që Policia e Kosovës të marrë rol më të madh në sigurimin e urës.
Kjo parti pretendon se Policia e Kosovës nuk ka arritur të ndërtojë besimin e komunitetit serb dhe se veprimet e saj në raste të ndryshme kanë thelluar, sipas tyre, ndjenjën e pasigurisë.
“Prania e KFOR-it në këtë vend ka një rëndësi të veçantë sigurie për popullin serb dhe përfaqëson një faktor të rëndësishëm stabiliteti”, thuhet në reagim.
Lista Serbe ka pranuar se nuk mund të ndikojë në mënyrën se si KFOR-i e zbaton mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Megjithatë, ajo ka kërkuar që KFOR-i të mbajë një “prani adekuate” në urën kryesore dhe të shmangë, siç thotë, veprimet që mund të rrisin pasigurinë e qytetarëve. /Zëri