Tahiri: Nuk do të lejojmë rrezikimin e rendit kushtetues, kërkojmë seancë të jashtëzakonshme sonte
Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se situata e krijuar me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës përbën, sipas tij, shkelje të rendit kushtetues dhe mosrespektim të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Grupi parlamentar i Aleancës u ka dërguar kërkesë grupeve të partive të tjera që të thërrasin seancë të jashtëzakonshme sonte në ora 22:30 për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit.
“Ajo që jemi duke parë dhe ajo që jemi dëshmitarë është, shkurt e shqip, një shkelje e rendit kushtetues nga partia që i ka fituar zgjedhjet, e cila me veprimet e saja është duke e vendosur një shembull dhe një primat i cili pa asnjë dyshim është rrezik për vendin, duke mos i konstituuar institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Shkelja e rendit kushtetues dhe mosrespektimi i aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili është decidit, i cili është shumë i saktë, duke thënë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet. Pra, nuk ka lënë hapësirë tjetër veçse thotë duhet të konstituohet.
Sot, kur shohim qasjen dhe takimet politike në ditët e fundit, na bien ndërmend fakti se sot dy muaj qytetarët e Kosovës e kanë ditur rezultatin zgjedhor. Pra që 60 ditë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka ditur rezultatin zgjedhor.
Në 30 ditë pas certifikimit të rezultateve, më datën 8 korrik janë konstituar, janë certifikuar rezultatet, për 30 ditë rresht kanë ndodhur takime të cilat nuk kanë pasur asnjë synim të konstituimit siç po shihet sonte, mirëpo qëllimi vetëm ka qenë bartja e fajit nga ana e opozitës me qëllimin e vetëm të marrjes së tri pozitave për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila u konfirmu sot edhe në deklaratën para medieve të kryetarit të Vetëvendosjes.
Nuk do të lejojmë që rendi kushtetues të rrezikohet, nuk do të lejojmë që demokracia parlamentare të vijë në rrezik dhe nuk do të lejojmë që Kosova të bëhet parti-shtet”, deklaroi Tahiri.
Ai bëri të ditur se Grupi Parlamentar i AAK-së, në koordinim me grupet e tjera parlamentare, ka paraqitur kërkesë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme.
“Si grup parlamentar, në diskutime edhe me grupet tjetra parlamentare, kemi një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme e cila duhet të thirret sonte në orën 10:30, në mënyrë që ne me ushtrimin tonë si deputetë të zgjedhur, të betuar në Kuvend, të mblidhemi dhe të kërkojmë prej krijuesit të seancës konstitutive të thërrasë seancën dhe sonte ta kryejmë këtë”, tha Tahiri./EO