Komuna e Mitrovicës vazhdon aksionin për lirimin e hapësirave publike
Aktuale
August 07, 2026 - 08:17
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se po vazhdon aksioni për lirimin e hapësirave publike të uzurpuara, në kuadër të përpjekjeve për kthimin e tyre në shfrytëzim të qytetarëve.
Sipas njoftimit, Drejtoria e Inspekcionit ka zhvilluar një aksion në rrugën "Lekë Dukagjini", ku janë larguar uzurpimet e hapësirave publike që, sipas komunës, kanë ekzistuar prej vitesh.
Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Mujë Igrishta, ka bërë të ditur se aksione të ngjashme do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të lirimit të hapësirave të tjera publike në qytet.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të uzurpimit të hapësirave publike pranë Drejtorisë së Inspekcionit, në mënyrë që të ndërmerren veprimet e nevojshme.