“Nuk kemi shkuar për pazare”, Çitaku për takimin e Hamzës me Kurtin
Foto: Laura Hasani

“Nuk kemi shkuar për pazare”, Çitaku për takimin e Hamzës me Kurtin

Aktuale August 04, 2026 - 19:11

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku tha se takimi mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk ka sjellë diskutime konkrete apo rezultate për çështjet që, sipas saj, shqetësojnë partinë.

Në Klan Kosova, Çitaku tha se PDK nuk ka shkuar në takim për të bërë pazare politike apo për të kërkuar pozita, por për të diskutuar për çështje me rëndësi për vendin.

“Nuk kemi shkuar aty me bë pazar as me kërkua pozitë, ne na intereson çka ndodh me gazin amerikan, si është e mundur që Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që me kryeneçësi refuzon kyçjen e Kosovës në një projekt i cili është shumë më shumë se projekt energjetik. Është projekt politik, strategjik, ekonomik, nuk reduktohet ideja e gazit amerikan në tuba siç e kemi dëgjuar Albin Kurtin”, deklaroi Çitaku.

Ajo kritikoi mënyrën se si Kurti i ka zhvilluar takimet politike, duke thënë se ato janë kthyer në një qëllim në vetvete dhe pa rezultate konkrete.

Sekretarja e PDK-së tha se përkundër përvojave të mëparshme, Bedri Hamza ka pranuar të marrë pjesë në takim për shkak të respektit ndaj qytetarëve të Kosovës, por sipas saj, takimi ka qenë i zbrazët dhe pa përmbajtje.

Çitaku theksoi se PDK nuk mund ta mbështesë vazhdimin e qeverisjes së Kurtit pa pasur ndryshime konkrete në qasje për çështjet që, sipas saj, janë të rëndësishme për vendin.