Kurti: “Prishtina 2030”, mundësi për të dëshmuar kapacitetin organizativ të Kosovës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në mbledhjen e parë të Komitetit Organizativ të lojërave mesdhetare "Prishtina 2030", duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga projektet më të rëndësishme që vendi do të realizojë në vitet e ardhshme.
Kurti tha se për herë të parë Kosova do të organizojë një ngjarje sportive të kësaj përmase, duke mirëpritur sportistë, delegacione dhe partnerë nga vende të ndryshme të Mesdheut.
“Për Kosovën, kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të dëshmuar kapacitetin tonë organizativ, për të avancuar sportin dhe infrastrukturën sportive dhe për ta prezantuar vendin tonë para një audience të gjerë ndërkombëtare”, tha Kurti.
Ai theksoi se Prishtina 2030 është një projekt me rëndësi shtetërore e kombëtare, që kërkon vizion afatgjatë, bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe angazhim të të gjitha institucioneve.
Sipas tij, suksesi nuk do të matet vetëm me organizimin e garave sportive, por edhe me ndërtimin e institucioneve më të forta, zhvillimin e infrastrukturës moderne, forcimin e besimit të partnerëve ndërkombëtarë dhe krijimin e një trashëgimie të qëndrueshme për Kosovën.
Kurti tha se Komiteti Organizativ duhet të funksionojë si mekanizëm i përbashkët koordinues dhe nënvizoi se Qeveria mbetet e përkushtuar që procesi të zhvillohet mbi parimet e bashkëpunimit ndërinstitucional, transparencës, llogaridhënies dhe standardeve më të larta të menaxhimit.
“Lojërat mesdhetare ‘Prishtina 2030’ nuk janë vetëm projekt i sportit. Janë projekt strategjik shtetëror dhe një mundësi për të dëshmuar aftësinë tonë për të organizuar ngjarje ndërkombëtare sipas standardeve më të larta”, u shpreh Kurti.
Ai u bëri thirrje anëtarëve të Komitetit Organizativ që puna të karakterizohet nga bashkëpunimi, profesionalizmi dhe përgjegjësia institucionale, në mënyrë që Kosova ta realizojë me sukses këtë projekt dhe të përfaqësohet denjësisht në arenën ndërkombëtare. /Zëri