Nufi: Në Shqipëri, 727 forca në terren për përballimin e zjarreve

Nufi: Në Shqipëri, 727 forca në terren për përballimin e zjarreve

Aktuale August 04, 2026 - 11:51

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 727 forca operacionale për menaxhimin e 20 vatrave të zjarrit në zona të ndryshme të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Nufi njoftoi se në mbështetje të strukturave vendore janë angazhuar 128 efektivë të Forcave të Armatosura, dy automjete zjarrfikëse, një autoambulancë mjekësore dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore.

Ministri shprehu mirënjohje për të gjithë efektivët e përfshirë në operacionet për shuarjen e zjarreve, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre.

“Janë pikërisht këta njerëz të sakrificës dhe me uniformë që zgjedhin të ecin drejt rrezikut për ta eliminuar atë, dhe jo t’i qëndrojnë larg tij,” shkroi ai.

Në fund të mesazhit, Nufi theksoi se sakrifica, vendosmëria dhe shërbimi i efektivëve përbëjnë shembullin më të mirë të përmbushjes së detyrës ndaj Republikës, duke shtuar se “Shqipëria krenohet me ju!”.