Grajqevci: Që nga fillimi kemi dyshuar për disa varreza masive në veri, Serbia i fshehu me plan
Kryetari i Këshillit Koordinues të Shoqatave të Familjarëve të Personave të Zhdukur në Kosovë, Ahmet Grajqevci, ka deklaruar se prej përfundimit të luftës kanë ekzistuar dyshime për disa varreza masive në veri të Kosovës dhe në territorin e Serbisë, duke thënë se zhvillimet e fundit në Zubin Potok e përforcojnë bindjen se në atë zonë mund të ketë lokacione të tjera ku janë fshehur trupat e personave të zhdukur gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se fshehja e trupave është bërë sipas një plani të organizuar shtetëror.
Grajqevci tha se që nga fillimi kanë dyshuar se në veri mund të ketë disa varreza masive, por mungesa e mjeteve dhe kompetencave në vitet e para pas luftës ua kishte pamundësuar hetimin e tyre.
“Qysh nga fillimi kemi dyshuar se në veri mund të jenë prej dy, tri deri në katër vende varreza masive. Pse po e thëmë këtë? Ne kemi shkuar disa herë me Jashar Jupën, ish-komandantin e ndjerë të Policisë për Krime Lufte dhe UNMIK-un në atë vend dhe e kemi vizituar vetëm me shikim, kështu. Nuk kemi pasur mjete që të mund të hulumtojmë diçka më tutje, sepse kompetencat e UNMIK-ut, kompetencat e policisë tonë ishin jashtëzakonisht të vogla, nuk kishim ndonjë teknikë që ne mundemi me zbuluar, s’kemi pasur asnjë aparat”, tha ai.
Ai tha se një material i Korpusit të Uzhicës dhe dëshmitë për spastrimin e terrenit ngrenë dyshime edhe për një varrezë masive në afërsi të Rashkës.
“Por, duhet ta lidh këtë edhe me korpusin e Uzhicës, një material i cili është zënë në pjesën e Podujevës, thotë edhe dëshmitari i cili flet për atë, thotë: “Ne pas gjithë aksioneve që kemi marrë — vrasjet, plaçkitjet, djegiet, si dhe dëbimet, të gjitha ato…” thotë “ne e kemi pasur të obligueshme togu jonë”, atë e quajnë në serbisht “asanacija terena”, spastrimin e terenit. Do të thotë pastrimi i terenit është që do të thotë të mbledhë trupat, të mbledhë të gjithë trupat ku janë, ose i varros ose i merr me kamion i çon në një vend/lokacion, i varros dhe të evidentuar mirë me numër, me krejt. Edhe me fshatra se sa janë marrë në këtë fshatrat, sa në atë. Plus aty i nxjerrin në evidencë edhe djegiet e shtëpive, dëmeve materiale, shtazë, domethënë lopëve, viçave, janë të obliguar me i regjistruar. Se është pastrimi i terenit ai. Edhe ai vetë thotë, kur i kemi ngarkuar trupat ne në kamion, te Kërshi i Dudës, do të thotë jemi ndalur komandantit të korpusit do të thotë “pravac Brevenik”. Tash, kush është Breveniki? Unë nuk e di, por unë kur e kam lypur në hartë m’ka dalë do të thotë në periferi të Rashkës. Dhe kështu që edhe atje dyshohet se është një varrezë masive diku rreth Rashkës”, tha ai.
Sipas tij, Serbia i ka fshehur varrezat masive sipas një plani të organizuar.
“Unë për dy i kam paraqitur, dy deri në tri i kam paraqitur edhe më herët kur kam folur, do të thotë në vitin 2000, 2001, 2003, sepse vetë vendi të shtyn me dyshuar që vendi është, se Serbia i ka gjetur vendet ku t’i fshehë. I ka fshehur edhe në oborret e kishave, i ka fshehur varrezat masive në Serbi edhe brenda kazermat ushtarake, pranë varrezave të serbëve. Do të thotë jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, po ku kam vizituar unë në Kroaci edhe në Bosnjë ka qenë kështu. Do të thotë me plan. Çdo gjë e ka bërë me plan. Çdo gjë ka qenë, jo që ka qenë shteti në dije, po ka qenë edhe Kisha Ortodokse në dije. Se kreatori i gjithë këtyre të keqijave është vetë Kisha Ortodokse”, tha ai.
Ai tha se tensionet dhe sulmet e viteve të fundit në veri kanë shërbyer për të penguar zbulimin e varrezave masive dhe për të mbrojtur autorët e krimeve.
“Por, ka varreza masive në veri të Mitrovicës dhe të gjitha këto tollovi, problemet që bëhen, për të ruajtur moszbulimin e këtyre varrezave masive dhe kriminelëve që kanë ikur prej tërë territorit të Kosovës dhe janë fshehur do të thotë në veri. Por, këtu e falënderoj pikërisht Prokurorin e Shtetit, Blerim Isufaj, i cili ka qenë këmbëngulës që ta bëjë një plan të mirë rreth procesit për zhdukjen e personave të zhdukur gjatë luftës edhe për viktimat e luftës. Unë kam pasur disa herë kontakte me zyrtarë, qoftë ndërkombëtarë dhe vendës, por Veriu na pat mbetur si ‘anash’. Do të thotë gjithë herë për 23-24 intelektualë të cilët janë zhdukur në veri, gjithë herë e kemi përmendur edhe në takimet ndërkombëtare, edhe në takimet regjionale, do të thotë që kemi pasur takime me palën serbe, por asnjëherë nuk kanë qenë të gatshëm që të japin informacione, sepse ishte shtrëngimi i shtetit serb që kush dëshmon do të dënohet 30 vjet burg dhe do të dënohet me 30,000 euro gjobë. Do të thotë pikërisht nga Ivica Daçiq, kjo është dëgjuar nga goja e tij, se për ne nuk janë problem shqiptarët e turqit e kroatët e boshnjakët, por janë problem njerëzit tanë që po tregojnë për varrezat masive. Këtë e ka thënë para katër-pesë viteve. Edhe mjekoligjorët që kanë punuar në Batajnicë, do të thotë edhe ata kanë dhënë informacione që mund të ketë ende trupa në Batajnicë, nuk janë eksumuar të gjitha, edhe bile çka ka me ndjekje sipas disa prej tyre të moshuarve që aty i ka pasur edhe organet t’u marrë nga të zhdukurit. Do të thotë që nuk është gjetur asnjë organ brenda në organizmin e tyre”, tha ai.
Sipas Grajqevcit, Serbia vazhdon të ketë synim destabilizimin e rajonit dhe krimet e luftës janë kryer në mënyrë të organizuar.
“Serbia nuk është e interesuar me aneksuar veriun, është e interesuar me aneksuar në tërësi Kosovën. Se Serbia e do Kosovën pa shqiptarë. E do Kosovën pa shqiptarë. Ende nacionalizmi serb bile tash është në kulminacionin më të madh se kur ka qenë Milosheviqi. Këta sa të ekzistojë Serbia ka qëllim të destabilizojë Ballkanin në përgjithësi, jo vetëm Kosovën dhe Shqipërinë. Por më shqiptarët nuk janë sharraxhi, nuk janë rabaxhi. Ne kemi kuadra të afta me një polici moderne, me një polici për krime lufte jashtëzakonisht të mirë, me një gjykat speciale që i përfill kriteret dhe i përfill konventat ndërkombëtare. Ata s’njohin konventa ndërkombëtare. Çdo gjë që e ka kryer Serbia në territorin e Kosovës, e ka kryer shumë me paramendim, në mënyrë komanduese dhe administrative. Asnjë milimetër nuk e ka do të thotë që s’e ka regjistruar, se e ka bërë me plan-program”, tha ai.
Më 2 gusht, autoritetet e Kosovës arrestuan një person tjetër të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në kuadër të hetimeve për Zubin Potokun, ndërsa identifikuan edhe një lokacion të ri në fshatin Jabukë, ku sipas ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë gjetur katër mbetje mortore.
Paralelisht, gërmimet në Kalludër të Vogël po vazhdojnë, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se identiteti i mbetjeve do të përcaktohet vetëm pas analizave të ADN-së.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ekziston mundësia që ato t’u përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur në prill të vitit 1999, të njohur si grupi i intelektualëve.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999. /eo