Pritjet në kufi rriten në disa pika, Muçibaba me ngarkesën më të madhe
Fluksi i shtuar i udhëtarëve ka shkaktuar rritje të kohës së pritjes në disa pika të kalimit kufitar të Kosovës, ndërsa autoritetet u rekomandojnë qytetarëve të planifikojnë udhëtimin, duke u informuar paraprakisht për gjendjen në kufi.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat më të fundit për gjendjen në pikat e kalimit kufitar. Sipas përditësimit të orës 10:08, pritja më e gjatë për automjete regjistrohet në pikën kufitare Muçibabë, ku koha e pritjes për hyrje arrin deri në 60 minuta, ndërsa kolona e automjeteve është rreth 500 metra.
Në pikën kufitare Dheu i Bardhë automjetet që hyjnë në Kosovë presin deri në 40 minuta, ndërsa kolona arrin rreth 300 metra. Në Kullë, pritja për hyrje varion nga 5 deri në 10 minuta, me kolonë rreth 150 metra.
Në Han të Elezit, si në hyrje, ashtu edhe në dalje, pritjet janë rreth 10 minuta, ndërsa kolonat arrijnë deri në 100 metra në të dy drejtimet.
Pikat e tjera kufitare paraqesin fluks më të qetë, me pritje që variojnë kryesisht nga 3 deri në 5 minuta dhe pa kolona të konsiderueshme.
Sa i përket qarkullimit të kamionëve, situata mbetet stabile në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me pritje prej rreth 3 deri në 5 minuta dhe pa krijim kolonash.
Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që, para nisjes, të informohen për gjendjen në pikat kufitare dhe, kur është e mundur, të shfrytëzojnë pika alternative për të shmangur pritjet e gjata.