Vazhdon të kufizohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autoudhë
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit të ministrisë, kufizimi do të zbatohet në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara për ditën e nesërme.
Ministria ka bërë të ditur se kufizimi aplikohet pasi temperatura e parashikuar pritet të arrijë në 32 gradë Celsius ose më shumë.
Ndërkohë, qarkullimi i automjeteve të tilla në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse do të lejohet pa kufizime.
Nga kjo masë do të përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe ngasësve që të respektojnë kufizimin dhe ta planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar.