Në Prizren po mbahet edicioni i 18-të i panairit të librit

Në Prizren po mbahet edicioni i 18-të i panairit të librit

Aktuale July 31, 2026 - 21:55

Nën organizimin e Institutit për Kulturë dhe Kërkime Sociale në Prizren, po mbahet edicioni i 18-të i Panairit të Librit, ku po marrin pjesë shtëpi botuese dhe shkrimtarë nga mbarë trevat shqiptare.

Pavarësisht evoluimit të kohës, kur njohuritë mund të merren në mënyra të ndryshme digjitale, libri mbetet i pazëvendësueshëm për të gjithë. Në edicionin e 18-të të panairit të librit që po mbahet në Prizren nuk kanë munguar lexues të gjeneratave të ndryshme. Më fanatikët janë ata të moshës madhore, të cilët burimin kryesor të dijes e kanë librin e shkruar.

"Më së shumti, mua më pëlqyen disa libra, posaçërisht ato me tregime historike ose aventuristike", tha Gani Sunduri, qytetar."Në këto kohëra të vështira të digjitalizimit, shumë pak jemi duke u marrë me librin, edhe pse libri e ka atë veçorinë e vet, e ka atë jetën e vet", tha Osman Goranci, qytetar.

Shtëpi të ndryshme botuese nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë munduar t'u sjellin lexuesve prizrenas tituj të rinj librash, për të cilët thonë se kanë zgjuar interesim mjaft të madh.

"Dua me zemër t’i falënderoj shqiptarët kudo që janë dhe, në mënyrë të veçantë, sot që ndodhemi këtu në Prizren, për këtë ndjeshmëri të madhe që kanë ndaj Çamërisë. Çamëria është një plagë, është ajo plagë që rrjedh gjak nga shtati i kombit shqiptar edhe sot e kësaj dite", tha Arben Kondo, shkrimtar nga Çamëria.

"Kësaj radhe më bëri përshtypje që kishin ardhur mësues nga Italia të gjuhës shqipe dhe kishin shumë interesim për librin shqip. Morën edhe librin e shkronjave, si zakonisht", tha Vjollca Zalli, shkrimtare."Çfarë kam vënë re është se lexuesit këtu janë shumë të kulturuar. Prizreni është një nga qytetet, mos të them një nga më të bukurit apo kryeqyteti i shqiptarizmit", tha Ilir Kushi, shkrimtar.

Panairi i librit është përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prizrenit, ndërsa në mbrëmje, përveç prezantimit të librave, po zhvillohen edhe aktivitete dhe diskutime letrare./rtk