Kurti në Varagë përkujton Enver Zymerin: Asnjë kriminel nuk do të mbetet i pandëshkuar

Kurti në Varagë përkujton Enver Zymerin: Asnjë kriminel nuk do të mbetet i pandëshkuar

Aktuale July 26, 2026 - 14:01

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe te lapidari në vendin e rënies së heroit Enver Zymeri, në Varagë të Zubin Potokut, për nder të shënimit të Ditës Memoriale të policëve që kanë humbur jetën në detyrë.

I shoqëruar nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti u është drejtuar policëve të pranishëm, duke theksuar se të gjithë zyrtarët shtetërorë duhet ta marrin Enver Zymerin si shembull të sakrificës dhe vetëmohimit.

“Është obligim i yni, që t’i marrim këta si shembull të gjithë ne që jemi zyrtarë shtetërorë, për nga sakrifica edhe vetëmohimi. Sot gjendja këtu në veriun e Kosovës është krejtësisht ndryshe, pikërisht duke iu falënderuar Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë kolegëve të tyre, të cilët vendosën sundim të ligjit, paqe, siguri për të gjithë pa dallim. Sot janë bërë 15 vjet prej rënies heroike të Enver Zymerit. Por, njëkohësisht këtu do të shënojmë edhe 20-mujorin e hedhjes në erë të kanalit Ibër-Lepenc, i cili furnizon me ujë më shumë se gjysmën e Republikës sonë, e po ashtu edhe termocentralet në Obiliq, të cilat na furnizojnë me energji elektrike.”, tha Kurti.

Ai shtoi se institucionet e drejtësisë do të vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të vrasjes së Enver Zymerit dhe se askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë, raporton EO.

“Për këtë rastin e dytë, siç e dimë, tre veta janë në burg dhe ka një proces të drejtësisë kundër tyre. Ndërkaq për urdhërdhënësit dhe dorën kriminale që e vrau heroin e Kosovës Enver Zymerin, natyrisht që herët a vonë drejtësia do të veprojë, sepse asnjë kriminel nuk do të lejohet që të mbijetojë i pandëshkuar. Prandaj edhe prokuroria, e gjyqësia jonë, e kanë mbështetjen tonë”, deklaroi ai.

Gjatë ditës, Kurti ka bërë homazhe edhe te Lapidari i Policëve të rënë në detyrë në Prishtinë, ndërsa ka vizituar edhe familjet e heronjve Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku.