Cakolli: Seanca konstituive më 6 gusht, veprim i vonuar dhe institucionalisht i papërgjegjshëm
Foto: Laura Hasani

Cakolli: Seanca konstituive më 6 gusht, veprim i vonuar dhe institucionalisht i papërgjegjshëm

Aktuale July 24, 2026 - 13:10

Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka kritikuar caktimin e seancës konstituive të Kuvendit për 6 gusht, duke e cilësuar atë si një veprim të vonuar dhe institucionalisht të papërgjegjshëm.

Sipas tij, shqetësimi kryesor lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, të cilin Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se fillon nga dita e konstituimit të Kuvendit, në rastet kur ky ende nuk është konstituuar.

“6 gushti e aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të dhe, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e Presidentit”, ka shkruar Cakolli.

Ai thekson se më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Sipas tij, nëse procedura për zgjedhjen e Presidentit zvarritet deri më 5 tetor dhe dështon, vendi mund të përballet me një situatë të paprecedentë institucionale.

“Nëse procedura e zgjedhjes së Presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet, pasi periudha e ushtrimit të detyrës së Presidentit tashmë të ketë përfunduar”, ka theksuar ai.

Cakolli paralajmëron se kjo do të mundë të linte Kosovën njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të presidentit, i cili ka kompetencat kushtetuese për të formalizuar shpërndarjen e Kuvendit, për të caktuar datën e zgjedhjeve të reja dhe, pas tyre, për të propozuar mandatarin për formimin e qeverisë.

Ai shton se koha që, sipas institucioneve, ishte lënë në dispozicion për negociata rreth zgjedhjes së presidentit, po kalon pa rezultate konkrete.

“Koha që u tha se po lihet në dispozicion për negociata rreth zgjedhjes së Presidentit po kalon jo vetëm pa marrëveshje politike, por edhe pa asnjë raund të ri takimesh ndërpartiake”, ka përfunduar Cakolli. /Zëri