Çështja e presidentit, Haxhiu: Duket që nuk jemi shumë afër, uroj të intensifikohen takimet
Foto: Laura Hasani

Çështja e presidentit, Haxhiu: Duket që nuk jemi shumë afër, uroj të intensifikohen takimet

Aktuale July 24, 2026 - 11:46

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ende nuk ka një afrim të dukshëm ndërmjet partive politike për arritjen e një marrëveshjeje rreth zgjedhjes së presidentit të vendit.

Në një konferencë për media, Haxhiu tha se nuk ka qenë nën presion nga partitë politike për ta thirrur sa më shpejt seancën konstituive të Kuvendit, duke shtuar se vonesa ishte e qëllimshme për t’u dhënë kohë subjekteve politike të arrijnë një dakordim, duke pasur parasysh edhe afatet kushtetuese.

“Sa u përket çështjes së akuzave nga partitë politike, unë dua ta them hapur: nuk e kam ndier veten nën presionin e partive politike që të thërras seancën konstituive. Nuk po flas për individë; deri tani, dy deputetë nga Aleanca e kanë përmendur këtë çështje, por nuk kam pasur kërkesa nga partitë politike që unë të veproj sa më shpejt. Arsyeja pse nuk kam vepruar e përmenda në fillim të fjalës sime: ishte pikërisht për t’u dhënë kohën në dispozicion për të arritur deri te një marrëveshje, për shkak të afateve kushtetuese. Por, spekulimeve që po planifikojnë një raund tjetër zgjedhor, unë do t’u përgjigjesha me ftesën e tyre për takime serioze dhe për diskutime se si ta tejkalojmë situatën aktuale. Është e vërtetë që partia fituese, Vetëvendosje, i ka numrat edhe për konstituimin e Kuvendit, edhe për qeverinë. Por, mos i harroni akuzat që na bënin partitë politike në të kaluarën: ‘Pse u ngutët me konstituim? Pse u ngutët me qeveri?’. Pra, pikërisht kjo ka qenë arsyeja që kam konsideruar që, nëse ngutem, ata thonë ‘pse u ngute’; nëse s’ngutem, ‘pse s’ngute’. Nuk u bie tamam asnjëherë.

Megjithatë, unë konsideroj që kam vepruar drejt dhe qëllimi im ka qenë më i miri: pra, që të jepet hapësira e nevojshme në dispozicion dhe që të mbërrihet një marrëveshje. Duket që nuk jemi shumë afër, por uroj që të intensifikohen takimet”, tha Haxhiu. /eo