Ministria e Bujqësisë zgjat afatin për subvencionimin e fermerëve

Ministria e Bujqësisë zgjat afatin për subvencionimin e fermerëve

Aktuale July 23, 2026 - 14:35

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka njoftuar se është zgjatur edhe për 10 ditë afati për aplikim në Programin e Pagesave Direkte 2026, me qëllim që të gjithë fermerët të kenë mundësi të përfundojnë aplikimet e tyre.

Sipas njoftimit, afati shtesë ka hyrë në fuqi më 22 korrik dhe do të zgjasë deri më 31 korrik 2026, në orën 16:00. Aplikimet vazhdojnë të dorëzohen në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në komunat përkatëse.

Ministria bën të ditur se Programi i Pagesave Direkte 2026 është ridizajnuar në përputhje me harmonizimin gradual me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP) dhe përfshin katër shtylla kryesore të mbështetjes: pagesat bazë sipas sipërfaqes për kulturat bujqësore të pranueshme, pagesat rishpërndarëse për hektarët e parë të fermës dhe fermerët e rinj, pagesat e lidhura me prodhimin dhe cilësinë për sektorët prioritarë të bujqësisë dhe blegtorisë, si dhe eko-skemat për prodhimin organik dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore.

MBPZHR-ja u ka bërë thirrje fermerëve që ende nuk kanë aplikuar të shfrytëzojnë afatin shtesë dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm sipas kategorisë së mbështetjes për të cilën aplikojnë.

Ministria rikujton se kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacioni i kërkuar ndryshojnë sipas sektorëve dhe masave mbështetëse, ndërsa kontrollet administrative dhe ato në terren do të zhvillohen në përputhje me dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2026 për Pagesat Direkte në Bujqësi.

Për informata shtesë mbi kriteret, dokumentacionin dhe procedurat e aplikimit, fermerët mund t'i drejtohen MBPZHR-së, Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) ose Drejtorive Komunale për Bujqësi. /Zëri