Ambasada britanike e shqetësuar për zhvillimet në gjyqësor, kërkon integrimin e komuniteteve në sistemin e drejtësisë

Ambasada britanike e shqetësuar për zhvillimet në gjyqësor, kërkon integrimin e komuniteteve në sistemin e drejtësisë

Aktuale July 23, 2026 - 12:16

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësim për zhvillimet e kësaj jave në sistemin e drejtësisë, duke bërë thirrje për integrimin e popullsisë shumetnike të Kosovës në institucionet e drejtësisë.

Reagimi i Ambasadës vjen pas dekretimit të dorëheqjeve të shtatë prokurorëve serbë nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Ambasada rikujtoi se Mbretëria e Bashkuar kishte mirëpritur Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila integroi strukturat e veriut të Kosovës në kornizën ligjore të Kosovës, duke garantuar njëkohësisht përfaqësim të konsiderueshëm të serbëve të Kosovës, transmeton Zeri.info.

Po ashtu, ajo vlerësoi se dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 përbënin një hap prapa, duke dëmtuar interesat e qytetarëve të Kosovës.

“Ne mirëpritëm reagimin e vazhdueshëm të organeve përkatëse profesionale, të cilat e kanë njohur rëndësinë që të gjitha komunitetet në Kosovë të ruajnë besimin në sistemin e drejtësisë dhe, për këtë arsye, jemi të shqetësuar nga zhvillimet e kësaj jave”, thuhet në reagim.

Ambasada britanike u bëri thirrje institucioneve që të mbështesin integrimin e popullsisë shumetnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë, me qëllim forcimin e besimit të publikut në institucionet e sundimit të ligjit. /Zëri