Pas paralajmërimeve për stuhi, Policia apelon për kujdes të shtuar
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), e mbështetur në paralajmërimin e hershëm të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), ka njoftuar se sot priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta.
AME-ja tregon edhe për rreziqet kryesore dhe ndikimet e mundshme nga ky mot që pritet të mbretërojë sot.
“Përmbytje të shpejta lokale në zonat me reshje intensive; Dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht nga breshri dhe erërat e forta; Rritje e rrezikut për ndezjen e zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike; Pengesa në sistemet e telekomunikacionit; Dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike; dhe, Rrezik i lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët”, tha AME-ja në njoftimin për media.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka lëshuar edhe disa udhëzime sigurie për qytetarët.
“Qëndroni në ambiente të sigurta gjatë stuhisë dhe shmangni lëvizjet e panevojshme; Mos u strehoni nën pemë të larta apo pranë objekteve metalike dhe shtyllave elektrike; Kujdes në komunikacion: Përshtatni shpejtësinë dhe shmangni rrugët apo nënkalimet e mbuluara nga uji; Siguroni pronën: Largoni ose siguroni pajisjet dhe sendet në ballkone e oborre që mund të dëmtohen nga era apo breshëri. Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, së bashku me Qendrat Operative Emergjente, janë në gatishmëri të plotë reaguese në të gjithë territorin e vendit”, shkroi AME-ja.
Për çdo rast emergjent, AME-ja këshillon të kontaktoni pa pagesë në Qendrën Operative Emergjente 112, Policinë e Kosovës 192, zjarrfikësit 193 dhe Ndihmën e Shpejtë 194.