Ambasada Amerikane: Kushtetuta garanton përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Ambasada Amerikane: Kushtetuta garanton përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës

Aktuale July 22, 2026 - 09:56
Vendimi i Haxhiut për prokurorët serbë, SHBA-ja: Kushtetuta e Kosovës garanton përfaqësimin e serbëve, Qeveria të sigurojë barazi

U.d. e Presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar largimin përfundimtar nga puna të 20 prokurorëve serbë, të cilët ishin larguar nga vendet e tyre të punës në vitin 2022.

Lidhur me këtë çështje, nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë kanë thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e garanton përfaqësimin e serbëve në institucionet e vendit.

Ambasada tutje në përgjigje thotë se presin nga Qeveria e Kosovës që të sigurojë që serbët të kenë mundësi të barabarta dhe që të kenë mundësi të marrin plotësisht pjesë në jetën politike dhe qytetare.

“Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë përfaqësimin e serbëve të Kosovës në institucionet e vendit. Ne presim që Qeveria e Kosovës të sigurojë që serbët e Kosovës të kenë mundësi të barabarta dhe të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për këtë”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës për Express.

Lidhur me këtë dje ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, duke shprehur shqetësim për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe të u.d. të presidentes, Haxhiu.