“E kam djegë në koftorr aktakuzën” – Sami Lushtaku mbrohet në heshtje, flasin të akuzuarit e tjerë
Foto: Laura Hasani

“E kam djegë në koftorr aktakuzën” – Sami Lushtaku mbrohet në heshtje, flasin të akuzuarit e tjerë

Aktuale July 17, 2026 - 19:29

Gjyqi ndaj Sami Lushtaku dhe shtatë personave të tjerë të akuzuar për krim të organizuar dhe vepra tjera penale, po shkon drejt fundit. Lushtaku u mbrojtë në heshtje, për veprat që akuzohet se i ka kryer bashkë me persona të tjerë që kanë të bëjnë me gjyqin e mëparshëm të tij në rastin “Drenica”

Betejën para drejtësisë, Sami Lushtaku, Rrustem Rrukolli, Ismet Haxha, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, po e zhvillojnë për një vepër që dyshohet se është kryer në vitin 2014.

Bëhet fjalë për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK gjatë kohës sa ishte nën masën e paraburgimit për rastin “Drenica”, si dhe për ndikim në dëshmitarë të këtij procesi.

Gjyqi për akuzat për krim të organizuar, ka filluar qe disa vite.

Kjo kohë e gjatë, për të akuzuarit ka humbur kuptimin.

Në seancën e së hënës, u dha mbrojtja e të akuzuarve.

Gjashtë prej të akuzuarve, Sami Lushtaku, Rrustem Rrukolli, Ismet Haxha, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri dhe Bajram Dibrani, u mbrojtën në heshtje.

Rexhep Xhota, që akuzohet për ndikim dhe frikësim të dëshmitarit C në rastin “Drenica”, pati disa fjalë.

Xhota, tregoi se me këtë person kishte pasur kontakte të mira, pasi atij i kishte ndihmuar në shumë raste.

“Telefoni i tij sa herë më ka zilu, domethënë edhe në gjysmë të natës kom shku u kon hallexhi. A ja kom dhanë 20 euro, a 50 euro, a 100 euro, ia kam pagu qiranë dy muj – tre muj, se kanë dashtë me qit. Ai është shumë bukëpërmbystë”, tha Xhota.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Xhota thotë se nuk ka pasur dijeni se ky person ishte dëshmitar i mbrojtur në një çështje penale.

“Momenti kur janë prishë raportet  ka qenë kur ma ka qu raportin dhe m’i ka lypë 15 mijë euro. T’preme 15 mijë euro, kur i kom thanë ”çka po t’vyjnë?”, m’ka thanë që me mobilu qat banesën që ja kom dhanë në Fushë Kosovë. Ai e dijke që s’kam, edhe po m’thotë lypjau komandantave”, shtoi ai.

Të drejtën e dhënies së mbrojtjes e shfrytëzoi edhe Sheremet Jashari.

Sipas tij, e gjitha aktakuza është montim nga EULEX-i.

“Për grupin e Drenicës kom ni, po kërcënu nuk e kam kërkon kurrë. Kjo aktakuzë është e pabazë, kjo nuk u ngrit prej asnji prokurori të Kosovës, po u ngrit prej EULEX-it, e ka ngrit një person i Indisë e nuk ka zot, po beson n’gja. Unë s’kom kry kurrfarë vepre, s’kom bo kurrfarë kërcënimesh, s’kom bo vepra t’kqija, këto janë krejt montime të EULEX-it”, pohoi Jashari.

Madje, kjo atë e shtyri që as mos ta lexonte fare aktakuzën.

“Ka ardhë EULEX-i ma ka pru aktakuzën te shpija. Si ma ka pru, e kom pasë një koftor, mrena e kom kallë krejt. Gjysma u kallë, gjysma ka mbet qaty, se nuk e nxijke koftori mo”, theksoi ai.

Paraprakisht, trupi gjykues refuzoi kërkesën e prokurorisë që të lexohen deklaratat e katër dëshmitarëve.

Procesi do të vazhdojë me dhënien e fjalëve përfundimtare nga palët. /tëvë1