Zulfaj takon ambasadorin hungarez, kërkon avancimin e agjendës së integrimit evropian të Kosovës
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka pritur në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux, me të cilin ka diskutuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe mbështetjen e Hungarisë në këtë rrugëtim.
Sipas njoftimit, Zulfaj e falënderoi ambasadorin hungarez për bashkëpunimin dhe mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Kosovës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Kryenegociatori Zulfaj e falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Hungarisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe theksoi nevojën për angazhim të koordinuar për të avancuar agjendën e integrimit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në takim u theksua se Kosova është e përkushtuar ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe se përparimi i saj në reformat demokratike dhe ekonomike duhet të reflektohet edhe në procesin e integrimit.
“Kosova ndan dhe mbron vlerat e përbashkëta me Bashkimin Evropian. Avancimi demokratik, zhvillimi ekonomik dhe linjëzimi i plotë me politikën e jashtme të BE-së duhet të përkthehen në vendimmarrje, në statusin kandidat dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim”, theksohet në njoftim.