Baraliu: Momenti i fundit që partitë të reflektojnë, zgjedhjet e reja do ta degradonin demokracinë elektorale
Foto: Zëri

Baraliu: Momenti i fundit që partitë të reflektojnë, zgjedhjet e reja do ta degradonin demokracinë elektorale

Aktuale July 15, 2026 - 08:09

Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se pavarësisht sjelljeve të deritanishme të liderëve politikë, ende ekziston shpresa për arritjen e një bashkëpunimi që do të mundësonte formimin e institucioneve të reja të vendit.

Baraliu thotë se partitë politike duhet ta lexojnë mesazhin që ua kanë dhënë qytetarët në zgjedhjet e fundit dhe të reflektojnë në interes të shtetit, e jo të interesave partiake.

“Duke u bazuar në sjelljet e mëparshme, të paktën gjatë një viti e gjysmë, të këtyre liderëve dhe subjekteve politike, që sot thonë diçka e të nesërmen diçka tjetër, nuk është për të besuar shumë. Përkundër këtij fakti, unë jam i prirur të besoj që po, ka shpresa dhe duhet të ketë shpresë për bashkëpunim dhe për formimin e institucioneve. Është momenti i fundit fare që këta njerëz të reflektojnë dhe të mendojnë pozitivisht për Republikën dhe për shtetin, e jo për pushtetin, partitë apo interesat e tyre. Ata duhet ta lexojnë mesazhin që elektorati, votuesi, ua ka dhënë në zgjedhjet e fundit, e sidomos edhe në zgjedhjet para tyre”, tha Baraliu.

Sipas tij, një cikël tjetër zgjedhor nuk do të sillte ndryshime të mëdha në raportet politike, ndërsa do të kishte pasoja serioze për legjitimitetin e partive dhe funksionimin demokratik të vendit.

“Nuk mund të pritet që pas tre cikleve zgjedhore të ketë ndonjë ndryshim apo luhatje të madhe që t’u japë shpresë këtyre njerëzve. Prandaj, duhet të jenë racionalë, të mendojnë mirë dhe të gjykojnë se çfarë ndodh nëse e lejojnë vendin të shkojë edhe një herë në zgjedhje, pa pasur asnjë marrëveshje, qoftë për presidentin, qoftë përmes një reflektimi institucional. Kjo do të thotë që pa asnjë ofertë, marrëveshje apo kusht, ata duhet të shkojnë në seancë, të jenë të pranishëm dhe të votojnë pro, kundër ose të abstenojnë. Të jesh i pranishëm dhe i gatshëm, me një vetëdije të pjekur dhe emancipim demokratik për t’i formuar institucionet, është jetike”, deklaroi ai.

Baraliu shton se dërgimi i vendit në zgjedhje të reja do ta dëmtonte edhe më tej besimin e qytetarëve në procesin demokratik.

“Të shkuarit edhe në një palë zgjedhje të tjera do ta humbiste pothuajse në tërësi legjitimitetin e këtyre partive politike dhe do ta degradonte në masa të konsiderueshme, deri në absurd, kuptimin e demokracisë elektorale. Për arsye se nga 100% e popullsisë me të drejtë vote në këtë vend (nga mosha 18 vjeç), kemi rënë në një situatë ku në mbarim të këtyre zgjedhjeve vetëm 37% e tyre kanë dalë të votojnë. Kjo do të thotë se 63% e qytetarëve, faktikisht, kanë abstenuar. Dhe kjo është alarmuese. Kjo do të duhej t’i shqetësonte partitë politike dhe t’i nxirrte nga letargjia e tyre që kanë ndaj njëri-tjetrit, e sidomos nga egocentrizmi i tyre politik i pashëndetshëm dhe i padobishëm për shtetin dhe qytetarin. Me sjelljet e tyre ata po e maltretojnë qytetarin dhe po e dëmtojnë Republikën prej më shumë se dy vitesh, madje edhe më herët”, u shpreh ai për Ekonominë Online.

Baraliu konsideron se ekziston më shumë afinitet për bashkëpunim ndërmjet fituesit të zgjedhjeve dhe LDK-së, ndërsa nuk përjashton as mundësinë e reflektimit institucional nga deputetë të partive të tjera.

“Siç duket, ka më shumë afinitet mes fituesit të zgjedhjeve dhe LDK-së, e cila tashmë ka një numër më të madh deputetësh. Këta të fundit, bashkë me vetëdijen e deputetëve individualë nga partitë e tjera (pra, në këtë rast nga PDK-ja dhe AAK-ja), mund të votojnë thjesht për t’i formuar institucionet. Pra, me një vetëdije dhe emancipim politik e demokratik që do të ishte i domosdoshëm në këtë fazë zhvillimi. Për Kuvendin dhe Qeverinë nuk ka problem, sfidë mbetet zgjedhja e presidentit”, tha ai.

Baraliu paraqet edhe dy opsione që, sipas tij, mund të çojnë drejt zhbllokimit të situatës politike.

“Varianti tjetër është të ketë një tryezë politike të përbashkët ku do të merrnin pjesë të gjitha partitë për ta diskutuar dhe për të mbajtur një qëndrim. Për presidentin do të duhej të gjendej një kompromis rreth një figure konsensuale. Ose, meqë po flasim kryesisht për një marrëveshje eventuale mes fituesit të zgjedhjeve (Lëvizjes Vetëvendosje) dhe LDK-së, atëherë mund të flitet për një marrëveshje bashkëqeverisëse, ku do të zgjidhej në një “pako” edhe presidenti, edhe forma e bashkëqeverisjes apo kooperimit. Po ashtu, edhe PDK-ja do të duhej ta kishte vetëdijen institucionale, ashtu siç e pati dhe e dëshmoi vitin e kaluar me rastin e votimit të kryetarit të Kuvendit. Edhe LDK-ja dikur ka treguar një vetëdije institucionale të lakmueshme për të dëshmuar se është parti institucionaliste, siç janë të gjitha partitë shtetformuese. Edhe PDK-ja do të duhej të votonte e të rrinte në sallë; kjo do të duhej të bëhej pa kushte dhe pa ndërskamca politike, sepse thjesht kemi humbur shumë kohë, mundësi, para dhe mbi të gjitha, përkrahje ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Sipas Baraliut, vendi ka pësuar dëme serioze në planin ndërkombëtar për shkak të zvarritjes së krijimit të institucioneve dhe kjo situatë duhet të marrë fund.

“Imazhin dhe reputacionin e vendit e kemi sjellë në një situatë jashtëzakonisht trishtuese dhe shqetësuese. Kjo duhet të ndërpritet përmes një sjelljeje të përgjegjshme dhe institucionaliste të kësaj klase politike, pa dallim fitues apo opozitë, në mënyrë që t’i kemi institucionet dhe për interesa shtetërore (si buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare) ta përkrahim njëri-tjetrin në Kuvend. Opozita duhet ta kuptojë këtë, pasi vullneti politik është përsëritur disa herë (së paku tri herë) në favor të fituesit”, tha ai.

Njëkohësisht, ai kërkon reflektim edhe nga fituesi i zgjedhjeve, duke paralajmëruar se mbështetja elektorale nuk duhet të merret si e mirëqenë.

“Por, në të njëjtën kohë, edhe fituesi i zgjedhjeve nuk duhet të sillet me infantilizëm politik, duke menduar se vërtet ‘janë të dërguar nga perëndia’ dhe se do të marrin votat dhe besimin e popullit në vazhdimësi, pa u lodhur. Ky është një vetëmashtrim optik dhe logjik. Ata duhet ta kuptojnë që mund të ketë befasi të pakëndshme dhe një efekt bumerang në qoftë se vazhdojnë të sillen në këtë mënyrë, me supremaci artificiale dhe me iluzionin se mund të fitojnë sa herë që ka zgjedhje. Nuk ndodh ashtu dhe nuk mund të ndodhë. Të dyja palët duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të marrin leksionin që ua ka dhënë votuesi – që është një zhgënjim i pamasë, i skajshëm. Dalja prej 37% në zgjedhje është niveli më i ulët që kemi pasur ndonjëherë që prej pasluftës. Dhe nëse vazhdohet kështu, kjo përqindje mund të degradojë edhe më poshtë”, theksoi Baraliu.