Protesta hyn në ditën e 44-të, qytetarët protestojnë para Kryeministrisë
Protesta e 44-t radhazi kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec vijoi pasditen e sotme, me grumbullimin e qytetarëve në sheshin “Skënderbej” prej nga marshuan në bulevard drejt Kryeministrisë.
Protesta e cila nisi kundër investimit në Zvërnec tashmë ka kërkesë kryesore dhe si shprehen protestuesit të panegociueshme largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta në duar, qytetarët kërkuan gjithashtu largimin e kastës së vjetër politike, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Protestuesit mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe simbole të tjera ndërsa disa nga thirrjet e përdorura janë: “Shqipëria kërkon revolucion” apo “Atdheu nuk është në shitje”.
Para Kryeministrisë protestues të ndryshëm u ngjitën në podium ku mbajtën fjalime të cilat prekën dhe koncertin e së shtunës të reperit amerikan Kanye West, ku njëri prej tyre tha se fondet e dhëna për koncertin mund të përdoreshin për të rregulluar spitalet e vendit.
Aktivisti Edison Lika u shpreh se protesta i dëshmoi gjithë shoqërisë se nuk e meriton këtë parlament dhe politikë. Ai shtoi se këtë vit shqiptarët nuk do bëjnë pushime, por do jenë në bulevard duke protestuar.
Një prej organizatorëve të protestës, aktivisti Andi Tepelena, gjatë fjalës së tij në tubimin para Kryeministrisë është shprehur se ndryshimi i kodit zgjedhor në Shqipëri, është një domosdoshmëri për të sjellë garë të barabartë mes subjekteve zgjedhore.