Kërkohet reagimi i shtetit për parandalimin e kriminalitetit në Kosovë
Rastet e lëndimeve të lehta trupore dhe posedimit të armëve në rajonin e Ferizajt janë shtuar këtë vit, krahasuar me 6-mujorin e vitit të kaluar.
Në një tabelë me statistika ku janë shpërfaqur veprat penale serioze në këtë rajon, Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me të për parandalimin dhe luftimin e veprave penale.
E, në një përgjigje për televizionin, Policia ka ofruar të dhëna për numrin e vrasjeve deri në fund të muajit maj.
“Bazuar në raportet mujore, deri në fund të majit 2026, janë evidentuar 9 raste të vrasjeve (përfshirë rastet ‘vrasje e rëndë’). Të gjitha këto raste janë hetuar dhe janë dorëzuar kallëzimet penale në prokurori. Një ndër masat parandaluese të përdorimit të armëve që rezultojnë edhe me vrasje, është konfiskimi i armëve pa leje. Kështu gjatë vitit 2025, policia ka konfiskuar 1931 armë të ndryshme dhe 39116 copë fishekë kalibrash të ndryshme.”
Refki Morina, nënkolonel në pension i Policisë së Kosovës thotë se rastet e fundit që ndodhën në Kosovë duhet të jenë alarm për institucionet e sigurisë.
“Parandalimi i rasteve të tilla ose minimizimi i këtyre rasteve vihet duke filluar nga familja pastaj vazhdon te shkolla gjithashtu në përkrahje të Policisë së Kosovës, në përkrahje të Prokurorisë, Gjykatave që duhet të jenë më të vendosura më efikase në zgjedhjen e rasteve dhe kështu që koordinimi i tërësishëm i institucioneve shtetërore me ato shoqërore bënë të minimizohen këto raste”, ka deklaruar Morina.
Ndërkohë që, sipas avokatit Valdet Hoxha, institucionet e Kosovës duhet të identifikojnë problematikat që çojnë të dyshuarit të ndërmarrin veprime të tilla.
“Është koha e fundit që institucionet e vendit mekanizmat e sigurisë dhe jo vetëm të ndërmarrin hapa konkret identifikimin e motivit, identifikimin e qëllimeve, identifikimin e problematikës që derivojnë me problematikat e tilla dhe të adresohet saktë çështja e preventivës së këtyre rasteve natyrisht edhe politika ndëshkimore të harmonizohet”, ka deklaruar Hoxha.
Ditë më parë në qytetin e Podujevës pas një përleshjeje të armatosur, në qendër të këtij qyteti u plagosën katër persona, njëri prej të cilëve ishte kalimtar i rastit./dukagjini