Cakolli: Nga nesër nisin afatet kushtetuese për formimin e institucioneve të reja
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga 9 korriku fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës, ka bërë të ditur njohësi i proceseve zgjedhore, Eugen Cakolli.
Sipas Cakollit, afati 30-ditor për mbajtjen dhe përmbylljen me sukses të seancës konstituive të Kuvendit nis më 9 korrik dhe përfundon më 7 gusht 2026.
Ai shpjegon se seanca duhet të thirret nga Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit kushtetues, Kuvendi mblidhet automatikisht në ditën e 30-të.
Para seancës konstituive, Haxhiu, në cilësinë e kryetares së legjislaturës paraprake, duhet të thërrasë mbledhjen përgatitore me kryetarët e 15 subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend. Kjo mbledhje duhet të mbahet jo më vonë se pesë ditë para seancës dhe shërben për përgatitjen e rendit të ditës dhe përcaktimin e ulëseve të deputetëve.
Sipas Cakollit, seancën konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do ta drejtojë deputeti më i vjetër, Avni Dehari, i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi.
Ai thekson se rendi i ditës është i përcaktuar me Kushtetutë dhe përfshin:
Formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve;
Votimin e raportit të këtij komisioni;
Betimin e deputetëve;
Zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit;
Zgjedhjen e pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Sipas Cakollit, kryetari i Kuvendit propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje si subjekti më i madh parlamentar dhe zgjidhet me të paktën 61 vota. Nëse i njëjti kandidat nuk i siguron votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet një kandidat tjetër.
Ai sqaron se pesë nënkryetarët zgjidhen gjithashtu me së paku 61 vota. Tre propozohen nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, një nga deputetët e komunitetit serb, përkatësisht Lista Serbe, dhe një nga deputetët e komuniteteve të tjera joshumicë.
Cakolli thekson se Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe të pesë nënkryetarët.
Vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit, shton ai, hapen procedurat kushtetuese për formimin e Qeverisë së re dhe për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, procese të cilat sipas Kushtetutës mund të zhvillohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri. /Zëri