Kurti, kryeministri me pagën më të ulët në Ballkan
Sipas një raporti të revistës ekonomike “Monitor”, i realizuar në bashkëpunim me korrespondentët e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina kryesojnë rajonin për nga pagat e presidentëve dhe kryeministrave, ndërsa Kosova renditet ndër vendet me pagat më të ulëta për drejtuesit e saj shtetërorë.
Raporti tregon se kryeministri shqiptar është më i paguari në Ballkanin Perëndimor, me një pagë mujore bruto prej rreth 4,130 eurosh, ose 4.8 herë më të lartë se paga mesatare në Shqipëri. Ndërkaq presidenti i Shqipërisë përfiton një pagë mujore bruto prej rreth 4.470 eurosh, që është 5.2 herë më e lartë se paga mesatare në vend.
Në Bosnjë e Hercegovinë, për shkak të strukturës së veçantë administrative, mesatarja e pagave bruto të presidentëve arrin në rreth 4.600 euro, ndërsa ajo e kryeministrave në rreth 4.000 euro. Megjithatë, diferenca me pagën mesatare në vend është më e ulët se në Shqipëri.
Në Mal të Zi, presidenti dhe kryeministri kanë paga bruto prej rreth 2,700 eurosh, ose 2.2 herë mbi pagën mesatare të vendit.
Serbia, ndonëse ka pagën mesatare më të lartë në rajon, paguan më pak drejtuesit e saj shtetërorë. Presidenti serb ka një pagë bruto prej rreth 2,740 eurosh, ndërsa kryeministri rreth 2,300 euro.
Në Maqedoninë e Veriut mediat raportojnë se presidenti dhe kryeministri përfitojnë paga bruto prej rreth 3,300 eurosh secili, ose rreth tri herë më të larta se paga mesatare në vend.
Sa i përket Kosovës, paga bazë mujore bruto e presidentit është 1,980 euro, ose 1.64 herë mbi pagën mesatare në vend, ndërsa kryeministri ka një pagë bazë bruto prej 1,870 eurosh, ose 1.55 herë më të lartë se mesatarja.
Raporti vlerëson se, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Kosova ka një nga nivelet më të ulëta të pagave për drejtuesit e saj shtetërorë, ndërsa diferenca mes pagave të tyre dhe pagës mesatare në vend mbetet më e vogël se në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas “Monitor”, Shqipëria mbetet vendi ku presidenti dhe kryeministri kanë avantazhin më të madh financiar në raport me qytetarin mesatar, me paga rreth pesë herë më të larta se mesatarja kombëtare.