Në Kosovë një në tetë qytetarë ka një armë pa leje?
Dy vrasje u shënuan në 48 orët e fundit në dy komuna të ndryshme të Kosovës. Një viktimë u shënua në komunën e Ferizajt, i cili u vra me armë zjarri, nga siç u bë e ditur e dashura e tij, pas një përleshjeje fizike mes tyre në banesën e të dyshuarës. Të nesërmen një viktimë tjetër u shënua në komunën e Dragashit në fshatin Zlipotok. Viktima ishte imam i fshatit dhe vrasja u tha se ndodhi për motive banale. Këto dy raste iu shtohen edhe katër rasteve të tjera të vrasjeve që ndodhën në Kosovë që nga janari 2026 deri në muajin qershor.
“Bazuar në raportet mujore, deri në fund të majit 2026, janë evidentuar 6 raste të vrasjeve. Të gjitha këto raste janë hetuar dhe janë dorëzuar kallëzimet penale në prokurori. Një ndër masat parandaluese të përdorimit të armëve që rezultojnë edhe me vrasje, është konfiskimi i armëve pa leje, kështu gjatë vitit 2025 policia ka konfiskuar 1931 armë të ndryshme dhe 39116 copë fishekë kalibrash të ndryshme”, thuhet nga Policia.
Policia e Kosovës flet për rreth dy mijë armë të konfiskuara gjatë vitit 2025, në bazë të disa statistikave të më hershme të ministrisë së punëve të brendshme qytetarët në Kosovë vlerësohet se posedojnë mbi 200 mijë armë pa leje. Që sipas një llogaritjeje të thjeshtë një në 8 qytetarë në Kosovë posedon armë pa leje. Në këtë situatë, ish-zëvendësministri i brendshëm Valdet Hoxha flet për prioritetet që duhet të ketë policia e Kosovës në parandalimin e krimeve, të cilat po përfundojnë me fatalitet.
“Normalisht që prioritet i Policisë së Kosovës do të duhej të ishin konfiskimi i armëve pa leje”, tha Hoxha.
Organizatat e huaja, të cilat monitorojnë institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vazhdimësi kanë shprehur shqetësimin se shumica e rasteve të armëmbajtjes pa leje ndëshkohen vetëm me gjoba. Ndërkohë, të dhënat zyrtare flasin për 18 vrasje të regjistruara gjatë vitit 2025 dhe 17 të tjera të kryera në vitin 2024. Ish-nënkoloneli i Policisë Refki Morina, fajin për ngjarje të tilla kriminale nuk e lë vetëm Policinë e Kosovës. Morina një pjesë të fajit e adreson edhe tek organet e tjera të ndjekjes siç është prokuroria dhe gjyqësori.
“Nuk është vetëm Policia, sepse kemi edhe prokurorinë, kemi edhe gjyqësorin. Ato duhet të veprojnë shpejt në aktakuza e më pas edhe në vendime të gjyqësorit në mënyrë që qytetarët të mos e marrin vet drejtësinë në dorë”, tha Morina.
Derisa Policia e Kosovës nuk dha të dhëna se sa armë pa leje janë konfiskuar në këtë gjysme vjetor, ajo më herët ka treguar se gjatë këtij viti ka konfiskuar 6259 patenta shoferi. Në këtë situatë, njohësi i çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, duke theksuar nevojën që hallka e institucioneve të sigurisë të jetë më efikase, ngre alarmin se Policia e Kosovës është kthyer në një institucion që mbushë arkën e shtetit përmes gjobave në kundërvajtje.
“Ma përpara policia të vë gjobë për mungesë të patentë shoferit se sa nëse ta gjen armën në trup apo veturë”, tha Elezi.
Në Kosovë nga viti 2013 kur edhe ka hyrë në fuqi Kodi Penal për shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm deri në vitin 2025 janë regjistruar 411 vrasje të të gjitha llojeve. Megjithatë, sipas ekspertëve të sigurisë dënimi masa e burgimit të përjetshëm nuk ka pasur efekt parandalues në kryerjen e vrasjeve. /rtv21