Haziri: S’kemi pasur as ftesë e as takim me Kurtin
Foto: Laura Hasani

Haziri: S’kemi pasur as ftesë e as takim me Kurtin

Aktuale June 29, 2026 - 18:27

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, ka folur pas mbledhjes që kryesia e kësaj partie e ka mbajtur me kryetarët e degëve.

Ai para mediave u shpreh se nuk ka pasur asnjë takim me liderin e VV-së njëherësh kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

“Më lejoni ta konfirmoi edhe njëherë. As nuk kemi pasur ftesë as nuk iu kemi ofruar askujt. Parimet gjithëpërfshirëse sipas rezultatit të fundit e njohin të drejtën e partisë së parë dhe i njohin të drejtat tona lidhur me peshën që na e kanë dhënë qytetarët. Takime nuk ka pasur deri në momentin që po flasim sepse nuk ka pasur asnjë ftesë”, u shpreh Haziri.

Haziri dha edhe detaje lidhur me atë se çka është diskutuar në mbledhje e LDK-së.

“Debati i brendshëm i LDK-së në situata paszgjedhore ka filluar sot. Natyrisht që disa degë dhe kolegë tonë kanë bërë veprime paszgjedhore që kanë shkaktuar edhe procese. Por, sot në kolegjiumin e degëve, diskutuam çështjet, analizuam numrat, vlerësimet e para që dalin nga rezultati zgjedhor. Numrat janë ata që LDK-së i kanë dhënë këtë peshë politike, ne jemi në një grup parlamentar prej 18 deputetësh. Pak a shumë në një situatë paszgjedhore në të cilën besojmë shumë që do të arrijmë ta mbyllim këtë proces pas certifikimit të rezultateve zgjedhore”, u shpreh Haziri.