Rrëfimi emocional i të mbijetuarit të Reçakut pas arrestimit të pesë serbëve
“Baca Banush pa kry, Skenderi pa kapak t’kresë, Ajeti, qy ky 85-sh, baca Rizah me dy djemë, baci Shyq me djemë, Fatmiri me vllazni, Jashari me vllazni. Veç u kon tmerr”, ka thënë Shabani.
Gjithë këto krime i pa me dy sytë e tij.
Mirëpo, vet Ramë Shabani arriti t’i mbijetoj masakrës së Reçakut.
E përpos tmerrit që e përjetoi, ai ndihmoi në varrosjen e mbi 30 viktimave të kësaj masakre.
“Me t’16 n’mbramje i kena tubu, i kena pru n’xhami. Na kanë ndihmu fshati Petrovë edhe Mellopolc. I kena ndreq kur t’mujmë m’i vorrosë, se janë kon shumë. Me t’17-tin masdite u ardhë Danisa Markoviq me ata, edhe u bo luftë k’tu tri ditë për kufoma”, ka thënë tutje Shabani.
Shabani e ka mirëpritur lajmin për arrestimin e pesë serbëve të dyshuar për kryerjen e kësaj masakre.
Mirëpo, ai është i zhgënjyer nga vonesa në hetimin e këtij krimi.
“Ishalla ka sukses e nxinen edhe të tjerët. Kjo shumë kollaj u kon për me gjetë puna e masakrës së Reçakut. Nxine komandantin e Policisë së Shtimes ose Ferizajit, edhe e di krejt kush e ka bo. Kjo u shukat 27 vjet. Dëshmitar i qesaj masakre të madhe veç unë kom mbet”, theksoj Shabani.
Rrjedhimisht, ai shprehet i gatshëm të dëshmojë kundër tyre.
“Unë jam i gatshëm ku t’dush me shku për ta. Se me siguri edhe po e baj men çfarë të rrehme kom pasë, qysh m’kanë rreh e sot gjallë, m’ka lanë Zoti veç me fol për ta”, u shpreh Shabani.
Problemi i vetëm për Shabanin, mund të jetë koha e gjatë që ka kaluar nga lufta.
“Është problemi që tash 27 vjet nuk mund m’i njoftë. Edhe krejt t’Shtimes janë kon me maska. Sa herë janë hi n’fshat janë kon me maska. Qai është problemi ma i madh”, ka thënë Shabani.
Si përfundim, ai kërkon dënim maksimal për tash të arrestuarit.
“Presim dënim shumë të mirë e të madh. S’po besoj hala. Besimi m’ka hup mu 27 vjet. S’muj me gjetë besimin mo”, ka përfunduar Shabani.
Ndaj pesë të dyshuarve, N.P., S.J., B.P., S.M. dhe S.S., Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale”, thuhet në njoftimin e Gjykata Themelore në Prishtinë
Si arsyetim për paraburgim është përmendur edhe rreziku për ndikim në prova dhe dëshmitarë.